

Kapet në Greqi dhe ekstradohet në Shqipëri shtetasi Marinel Demiri, i dënuar për plagosje të rëndë me dashje
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë, Interpol Tirana njofton kapjen dhe ekstradimin drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Marinel Demiri, 39 vjeç, banues në Pojan, Korçë.
Sipas burimeve nga Noa.al, 39-vjeçari u arrestua nga autoritetet policore greke me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Drejtoria e Interpolit.
Arrestimi dhe ekstradimi janë kryer bazuar në vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila e ka dënuar Marinel Demirin me 5 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje".
Në momentin e ekstradimit, shtetasit Demiri i kanë mbetur për të vuajtur edhe 4 vjet, 5 muaj e 18 ditë nga dënimi i dhënë.
Nga hetimet e zhvilluara rezulton se Marinel Demiri në 2011, atëherë vetëm 21 vjeç, është përfshirë në një konflikt me sende të forta në fshatin Pojan, Korçë, gjatë të cilit ka humbur jetën shtetasi A. Z., 75 vjeç. Viktima kishte ndërhyrë për të ndihmuar djalin e tij gjatë përplasjes së këtij të fundit me disa të rinj.
Më herët në 10 prill 2012 gjykata e Korçës e kishte lënë të lirë Marinel Demirin, pasi ai ishte arrestuar me akuzën se në 25 korrik të vitit 2011 në fshatin Pojan, kishte vrarë në bashkëpunim, me mjete të forta 78-vjeçarin Ali Zeneli, i cili u doli para të rinjve që po sulmonin djalin e tij.
Interpol Tirana konfirmon se ekstradimi i 39-vjeçarit u realizua me sukses dhe tashmë ai do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit në një nga institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri.
Çfarë ndodhi më 25 korrik 2011
Në fshatin Pojan të Korçës, mbrëmjen e 25 korrikut 2011, 78-vjeçari Ali Zeneli, është plagosur me mjete të forta nga 3 të rinj, dhe më pas ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të rënda.
Ngjarja ndodhi gjatë natës në oborrin e shtëpisë së familjes Zeneli, ku tre të rinj janë grindur me djalin e viktimës, dhe kanë goditur me mjete të forta 78-vjeçarin kur ai ndërhyri të mbronte djalin e vet.
Pas ngjarjes, policia arrestoi 3 djemtë e dyshuar, Bledar, Eduard dhe Marinel Demiri, si dhe djalin e viktimës, Petrit Zeneli, i sapodalë nga burgu atëherë, për trafik narkotikësh.
Në kuadrin e vrasjes, atëherë policia shoqëroi edhe dhjetë persona të tjerë që i shihte si të lidhur me krimin e rëndë. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






