

Në vend të emocionit të një finaleje të madhe, vajzat e Skënderbeut përjetuan një makth. Teksa udhëtonin drejt Tiranës për të zhvilluar finalen e dytë ndaj Tiranës, autobusi i ekipit korçar u përfshi në një aksident të rëndë në Qafë Thanë, duke tronditur të gjithë ambientin sportiv.
Mes panikut dhe frikës, volejbollistet Malaj dhe Mehmeti, si dhe trajneri Orlando Koja, mbetën të lënduar, duke pësuar dëmtime në shpatull. Ato u transportuan me urgjencë në Spitalin e Prrenjasit, ku po marrin ndihmën e parë mjekësore.
Në këto momente të vështira, e gjithë vëmendja është te gjendja shëndetësore e tyre, ndërsa fati i ndeshjes së shumëpritur është sqaruar nga Federata Shqiptare e Volejbollit, që ka reaguar shpejt për ngjarjen e frikshme.
Finalja që pritej të ishte një festë sportive, tani është kthyer në një ditë ankthi dhe lutjesh për shërimin e shpejtë të vajzave të lënduara nga aksidenti automobilistik.
Ja njoftimi i FSHV-së:
Sot, rreth orës 11:00, në aksin rrugor Qafë Thanë-Librazhd, automjeti që transportonte ekipin e volejbollit për femra të Skënderbeut të Korçës, i nisur drejt Tiranës për të zhvilluar ndeshjen e dytë finale të Superligës në Pallatin e Sportit në Farkë (ora 17:00), u përfshi në një aksident rrugor me një automjet tjetër.
Për pasojë, të gjithë të pranishmit në automjetin e ekipit të Skënderbeut kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa dy nga lojtaret janë dërguar në spitalin e qytetit të Prrenjasit për një ndihmë më të specializuar. Gjendja e tyre është e stabilizuar.
Nisur nga rrethanat e ngjarjes, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Volejbollit, bazuar në Rregulloren e Brendshme, vendosi:
1. Ndeshja e dytë finale në Kampionatin e Superligës së Femrave midis Tiranës dhe Skënderbeut, e programuar të zhvillohej më 26.04.2025, ora 17:00, në Pallatin e Sportit Farkë, nuk do të zhvillohet.
2. Federata Shqiptare e Volejbollit do të njoftojë së shpejti për datën dhe orarin e ri të zhvillimit të ndeshjes së dytë finale, sapo të ketë një vlerësim të plotë të gjendjes shëndetësore të ekipit të Skënderbeut. Federata Shqiptare e Volejbollit u uron të gjithë sportisteve një shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në parket.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd