Transmetuar më 26-04-2025, 11:37

Pas eliminimit të Interit nga Kupa e Italisë, në gjysmëfinale ndaj Milanit dhe humbjes së pestë në derbi këtë sezon, kritikat ndaj Simone Inzaghit janë shtuar ndjeshëm. Por një zë i njohur i futbollit italian, Arrigo Sacchi, ka dalë në mbrojtje të trajnerit zikaltër, përmes intervistës për “Gazzetta dello Sport”.

"Fatmirësisht ende ka drejtues të mençur, me mend në kokë. Pyes veten, pas asaj që kemi parë në sezonet e fundit: si mund të vihet në diskutim Simone Inzaghi?" – ka deklaruar Sacchi në hyrje të intervistës së tij. Më tej, ai ka shtuar me ironi: "Bota e futbollit, ndonjëherë, është e pakuptueshme. Po mirë, nëse edhe në Madrid kritikojnë Ancelottin, atëherë tashmë gjithçka është e mundur…"

Kritikat kanë qenë të shumta, jo vetëm për eliminimin nga Kupa, por edhe për formën e rënë të skuadrës dhe rotacionin e madh të përdorur në derbin ndaj Milanit. Por për Sacchin, çdo akuzë është e padrejtë: "Le ta kthejmë filmin pas: mbas fitores në Mynih kundër Bayernit, ishte një fenomen. Pas 15 ditësh, më shumë a më pak, Inzaghi u kthye në një gomar?

Të vësh një trajner në bankën e të akuzuarve sepse ka humbur një apo dy ndeshje nuk është mënyra ime e të menduarit. Sigurisht që mund të ketë bërë ndonjë gabim, nuk diskutohet kjo. Por atyre që ankohen tani, iu them: a ju ka ndodhur ndonjëherë të gaboni, apo jeni të përsosur? Gabimi është njerëzor, nuk besoj se dikush mund të jetë imun".

Në lidhje me zgjedhjet teknike dhe përdorimin e rotacionit në ndeshjen vendimtare, Sacchi ishte po aq i qartë: "Nëse e ka bërë, do të thotë se kishte nevojë. Nuk njoh asnjë trajner që i shkakton vetes dëm me vetëdije. Sigurisht, ndoshta lojtarët e stolit të Interit nuk janë në të njëjtin nivel me titullarët.

Ama, nuk ka skuadër në gjithë Europën ku cilësia e rezervave është e njëjtë me atë të titullarëve. Kjo nuk ekziston as te Real Madridi… Është e logjikshme që Frattesi të mos jetë Barella, – theksoi me tej Sacchi, – që Asllani të mos ketë klasin e Calhanoglu apo që Taremi të mos ndikojë si Thuram. Kur luan kaq shumë ndeshje si Interi këtë sezon, duhet të marrësh përsipër edhe rreziqe të tilla".

Pavarësisht humbjes, Sacchi mbetet i bindur se puna e Inzaghit nuk duhet vënë në diskutim, pas një sezoni ku Interi ka arritur suksese të rëndësishme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit