

Sytë janë të drejtuar nga Spanja, ku sonte do të luhet një nga finalet e Kupës së Mbretit më të mbushura me polemika në histori. Në fakt ishte e vështirë të imagjinohej një “paradhomë” ndryshe kur përballen Real Madridi dhe Barcelona, dy rivale të përjetshme, që sonte do të ndeshen në një nga “El Clasico” më të ndezura të viteve të fundit.
Në këtë kuadër, ka shumë kureshtje për të mësuar se cilët lojtarë do të marrin pjesë në këtë përballje, me dy nga yjet më të mëdhenj që mund të detyrohen të qëndrojnë jashtë. Për sa i përket Lewandowskit te Barcelona, nuk ka më asnjë dyshim: dëmtimi muskulor i pësuar kundër Celta Vigos do ta mbajë jashtë fushave për të paktën edhe dy javë të tjera. Edhe Real Madridi mund të detyrohet të heqë dorë nga sulmuesi i tij kryesor, Kylian Mbappé.
Sipas asaj që raporton “FootMercato”, sulmuesi francez vazhdon të ketë probleme me kyçin e këmbës, një dëmtim që e ka pësuar në ndeshjen e kthimit të Champions League ndaj Arsenalit. Edhe pse ishte në dispozicion në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Sevilla, ai ende nuk është në gjendje optimale.
Gjatë stërvitjes së të enjtes, dëmtimi vazhdoi t’i shkaktojë shqetësime të lehta. Sot Ancelotti do të vlerësojë nëse Mbappé do të jetë në gjendje ta nisë që nga minuta e parë; përndryshe, pritet që të luajë treshja Vinicius-Rodrygo në sulm, me Bellingham që do të veprojë pas tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd