

Kur Wojciech Szczesny vendosi të kthehej pas, duke lënë mënjanë “pensionimin” (tërheqjen nga futbolli) për të firmosur me Barcelonën, pak kush priste që portieri polak do të mund të merrte vendin e titullarit nga Inaki Pena dhe do të bëhej kaq i rëndësishëm për ekipin katalanas, duke bërë që të mos ndihej fare mungesa e Ter Stegen.
Ish-portieri i Juventusit i befasoi të gjithë në mënyrë pozitive. Sapo riktheu formën e tij ideale, bindi edhe trajnerin Flick për ta mbajtur pa ndërprerë në portën e blaugranëve. Megjithatë, ai ka një zakon që nuk e fsheh dhe për të cilin kërkon që të rinjtë të mos e ndjekin.
"Ka disa aspekte të lojës që besoj se mund të jem një shembull i shkëlqyer për të rinjtë dhe për shokët e mi të skuadrës, – ka thënë 35-vjeçari në një intervistë për ESPN. – Janë edhe disa aspekte të karrierës time, të cilat është më mirë të mos i ndiqni, sepse në to kam dështuar. Gjithsesi, mundohem të bëj më të mirën time, të jem një shembull i mirë për të rinjtë dhe për tifozët e rinj, që na shikojnë".
Pastaj ka pasuar thirrja e tij: "Për sa iu përket cigareve, ju lutem, mos e ndiqni shembullin tim, mos e bëni. E kam humbur betejën. Kur isha më i ri e mora këtë zakon, të cilin e di mjaft mirë që është shumë negativ për mua. Thjesht e kam humbur betejën. Pra, për këdo që më shikon, mos e bëni".
Një temë tabu në botën e futbollit: "Nuk jam politikan, jam thjesht një portier. Duhet ta marr topin dhe ta godas përpara. Është më e lehtë të jesh i sinqertë në këtë profesion. Ti (gazetar) më bën një pyetje dhe unë përgjigjem në mënyrën më të sinqertë të mundshme. Do të preferoja të mos flisja për këtë temë, por nëse më pyet, po, unë pi cigare. Por, siç thashë, do të preferoja të mos flisja për këtë, sepse nuk dua të jem një shembull i keq".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd