

Policia godet dy raste të trafikimit të cannabis me origjinë nga ShBA, sekuestrohen 7.7 kg drogë me përqindje të lartë THC
Tiranë – Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses dy operacione të njëpasnjëshme antidrogë, duke arrestuar një person dhe shpallur në kërkim një tjetër, në kuadër të hetimeve intensive kundër trafikimit të Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, e ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e destinuar për shitje në Tiranë.
Në njoftimin zyrtar të DVP Tiranë bëhet e ditur se: Në kuadër të operacionit të koduar "Dërgesa 1", u arrestua në flagrancë shtetasi Rakip Hoxha, 32 vjeç, ndërsa po tërhiqte dy pako që përmbanin rreth 4 kg Cannabis me përqindje të lartë THC në një degë postare në Elbasan.
Gjatë operacionit të koduar "Dërgesa 2", u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi Flavio Islamaj, 21 vjeç, i dyshuar si porositësi i një tjetër pakoje me rreth 3.7 kg Cannabis, që do të tërhiqej në një degë postare në Vorë.
Në total, gjatë 24 orëve të fundit, janë sekuestruar 7.7 kilogramë Cannabis me përqindje të lartë THC.
Policia njofton se kjo është goditja e pestë e rasteve të ngjashme të trafikimit të lëndëve narkotike nga ShBA gjatë kësaj jave.
Në total, janë sekuestruar rreth 10 kilogramë Cannabis dhe janë identifikuar 8 shtetas të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Operacionet janë zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Degën Qendra Tranzite të Postës Shqiptare.

Policia vijon punën për kapjen e 21-vjeçarit të shpallur në kërkim si dhe për identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






