Transmetuar më 26-04-2025, 09:03

Edhe pse është tërhequr nga basketbolli që prej vitit 2003, Michael Jordan vazhdon të kryesojë klasifikimin e sportistëve më të paguar në histori. Sipas një raporti të publikuar nga “Sportico”, fitimet e tij arrijnë në plot 3 miliardë dollarë. Kjo shifër e vendos ndjeshëm përpara çdo rivali tjetër.

Pjesa më e madhe e pasurisë së Jordan vjen nga marrëdhënia e tij afatgjatë me “Nike”, bashkëpunim që nisi në vitin 1984. Këpucët legjendare “Air Jordan”, të dizajnuara në nder të tij, janë kthyer në një ikonë të kulturës sportive dhe të biznesit për më shumë se katër dekada.

Pas Jordan, renditja vijon me Tiger Woods në vendin e dytë, i cili ka akumuluar 2.79 miliardë dollarë, ndërsa podiumi plotësohet nga Cristiano Ronaldo me 2.3 miliardë dollarë. Më tej vijnë LeBron James me 1.88 miliardë dhe Lionel Messi me 1.85 miliardë dollarë. Fitime që përfshijnë edhe pjesëmarrjen e Messit si aksioner në klubin e Inter Miami, pjesë e marrëveshjes së tij me MLS.

Në mesin e 50 sportistëve më të paguar, Italia përfaqësohet nga Valentino Rossi, i cili renditet në vendin e 30-të me një total prej 495 milionë dollarësh. Një tjetër fakt i rëndësishëm është prania e Serena Williams, e vetmja femër në këtë listë elitare, në vendin e 40-të me 485 milionë dollarë. Pas saj renditen Maria Sharapova dhe Venus Williams.

Michael Jordan, i cili e fitoi statusin e miliarderit në vitin 2015, e ka rritur pasurinë e tij jo vetëm përmes “Nike”, por edhe falë marrëveshjeve të tjera të rëndësishme me marka si “Hanes”, “Gatorade” dhe “Upper Deck”. Gjatë karrierës së tij 15-vjeçare në NBA, ai fitoi pesë çmime MVP dhe gjashtë tituj kampioni me Chicago Bulls.

Pas një periudhe të shkurtër me Washington Wizards, ai u tërhoq përfundimisht nga basketbolli në vitin 2003. Më vonë, Jordan investoi në botën e sportit duke blerë klubin e basketbollit Charlotte Hornets në 2010, të cilin e shiti pjesërisht në vitin 2024, duke ruajtur ende një pjesë të vogël të pronësisë.

Ja top-10 sportistët më të paguar në histori:

1. Michael Jordan – 3 miliardë dollarë

2. Tiger Woods – 2.79 miliardë dollarë

3. Cristiano Ronaldo – 2.3 miliardë dollarë

4. LeBron James – 1.88 miliardë dollarë

5. Lionel Messi – 1.85 miliardë dollarë

6. Arnold Palmer – 1.82 miliardë dollarë

7. Jack Nicklaus – 1.75 miliardë dollarë

8. David Beckham – 1.61 miliardë dollarë

9. Roger Federer – 1.59 miliardë dollarë

10. Floyd Mayëeather – 1.52 miliardë dollarë

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit