

Në kampin e Interit nuk ka kohë për t’i “lëpirë plagët”, pasi në horizont po afrohen ndeshje të tjera të rëndësishme, që do të jenë vendimtare për fatin e sezonit. Fillimisht Roma, me të cilën zikaltrit do të përballen të dielën prej orës 15:00 në “San Siro”, për të mbrojtur kreun nga “sulmi” i Napolit, që aktualisht ka pikë të barabarta me skuadrën e Simone Inzaghit.
Më pas vjen Barcelona për ndeshjen e parë gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve, me synimin për të arritur në finalen e madhe. Ndër lojtarët më me përvojë të klubit milanez është mesfushori Henrikh Mkhitaryan, i cili ndoshta ka një nga mundësitë e fundit (ose të fundit fare) për të ngritur trofeun më të dëshiruar në nivel klubesh këtë sezon.
Armeni foli për këtë superndeshje kundër katalanasve në një intervistë të dhënë për numrin e ardhshëm të revistës “The UCL Show”, duke lënë të kuptohet se mezi po e pret përballjen me katalanasit: “Duhet të përqendrohemi ndeshje pas ndeshjeje.
Barcelona ka një skuadër shumë të re dhe plot talent, por edhe lojtarë me përvojë të madhe ndërkombëtare. Do të jetë një përballje shumë interesante, gjysmëfinalja e Champions-it është gjithmonë fantastike për t’u luajtur. Do të bëjmë më të mirën në ndeshjen e parë dhe më pas në të dytën për të arritur në finale”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd