

Hansi Flick, trajneri i Barcelonës, është gjithmonë jashtëzakonisht i respektueshëm me të gjithë. Ai e tregon këtë ndaj çdo kundërshtari, veçanërisht ndaj Real Madridit. Skuadra e tij ka 4 pikë më shumë se madrilenët në La Liga, i ka mundur qartësisht “Los Blancos” në të dyja përballjet e këtij sezoni. Pavarësisht kësaj, gjermani nuk dëshiron të konsiderohet favorit.
“Duhet ta shijojmë këtë moment, kemi një skuadër shumë të re. Është një përvojë e mrekullueshme, do të luajmë kundër njërit prej klubeve më të mëdhenj në botë. Nuk ka favoritë në kësi finalesh, le të fillojë ndeshja, mezi po presim”, – tha trajneri gjerman nga salla e shtypit e stadiumit "La Cartuja", pak para se Barcelona të zhvillonte stërvitjen e fundit para finales së Kupës së Mbretit.
Flick mezi pret që të fillojë ndeshja, sepse ka besim maksimal te lojtarët e tij: “Kur i shoh si stërviten dhe si përpiqen, më japin besim të madh. Vërtet besoj shumë te këta lojtarë. Japin gjithçka në stërvitje, ndërsa kemi ide shumë të qarta se si duam të luajmë. E patë kundër Mallorca, luajtëm mirë. Kundër Celta përmbysëm rezultatin, luftuam deri në fund, edhe sot do të jetë njësoj”.
Trajneri gjerman theksoi se gjithmonë kanë një plan loje në varësi të kundërshtarit, kjo qasje nuk do të ndryshojë as në finale. Respektin për Real Madridin e tregoi sërish kur u pyet nëse “ia ka marrë dorën" ekipit madrilen, pas dy fitoreve me rezultat të thellë këtë sezon:
“Kjo është e shkuara. Ne jemi të përqendruar tek e tashmja, duhet ta shijojmë finalen. Madrilenët kanë një skuadër fantastike dhe mund të na dëmtojnë, edhe nëse ne bëjmë gjithçka mirë. Eufori? Kam shumë respekt për Real Madridin, është një ekip i madh, por ne duam të luftojmë dhe ta fitojmë trofeun. Duam të japim gjithçka, nuk flasim për gjëra të tjera”.
Flick nuk pranoi të japë sinjale për formacionin kur u pyet nëse Gerard Martín do të jetë titullar në vend të të dëmtuarit Alejandro Balde: “Do ta vendosim para ndeshjes”.
Trajneri gjerman nuk u shpreh për formacionin, por kërkoi respekt maksimal për arbitrat e finales, pas gjithë polemikës së shkaktuar nga Real Madridi, përfshirë videon klasike kundër De Burgos Bengoetxea, lotët e arbitrit bask në konferencën për shtyp dhe përpjekjen e klubit të bardhë për t’i ndërruar arbitrat disa orë para ndeshjes, kërkesë që nuk u pranua nga Federata Spanjolle e Futbollit:
“Nuk e di ç’të them, është sport, është një lojë, është futboll. Pra, është përgjegjësia jonë t’i mbrojmë të gjithë në këtë ambient; lojtarët, trajnerët dhe arbitrat. Nuk është gjë e mirë. Në fushë ka emocione dhe situata, por pas ndeshjes gjithçka duhet lënë pas. E kam thënë edhe disa muaj më parë, duhet t’i mbrojmë arbitrat, nuk mund të mos i respektojmë. Kjo është përgjegjësi e të gjithëve: klubeve, lojtarëve dhe trajnerëve”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd