Transmetuar më 25-04-2025, 22:11

Elmar Brok nga Kavaja: Si në Gjermani pas 33 vitesh, tani është koha për të larguar Ramën nga pushteti edhe në Shqipëri

Ish-eurodeputeti gjerman dhe një nga zërat më të spikatur të Partisë Popullore Evropiane, Elmar Brok, ka dhënë një mesazh nga Kavaja: koha e Edi Ramës ka përfunduar dhe Shqipëria ka nevojë për një qeveri të re të udhëhequr nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike.

“Ne në Gjermani e dërguam në pension një qeveri socialiste pas 33 vitesh. Socialistët janë gjithmonë njësoj – dështojnë në të tashmen dhe premtojnë për të ardhmen pa i përmbushur kurrë ato premtime,” u shpreh Brok para qytetarëve të mbledhur në qytetin simbolik të Kavajës.

Brok rikujtoi rolin historik të këtij qyteti në lëvizjet kundër komunizmit dhe e krahasoi me zgjedhjet e para të lira në Gjermaninë Lindore në mars të vitit 1990, duke theksuar: “Atëherë populli nuk kishte më frikë. Sot, në Shqipëri, vetëm një njeri ka frikë: Edi Rama.”

Duke folur për rëndësinë e një Shqipërie të integruar në BE, Brok tha se politika aktuale e Ramës ka dëmtuar perspektivën europiane të vendit: “Rama i premton Europës të njëjtën gjë që i premton Shqipërisë: dhe nuk përmbush asgjë. Me këtë qeveri, integrimi europian është i pamundur.”

Ai vlerësoi kontributin historik të Sali Berishës, duke e quajtur “njeriu që solli lirinë, anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe meriton një shans të tretë për ta çuar vendin drejt Europës.”

“Europa ka nevojë për Shqipërinë, dhe Shqipëria ka nevojë për Europën më shumë se kurrë. Dhe për këtë, ka nevojë për ndryshim,” theksoi ai, duke bërë thirrje për një mobilizim të qytetarëve për të votuar më 11 maj.

Brok nga Kavaja:

“Ne e hoqëm një qeveri socialiste pas 33 vitesh. Shqipëria mund ta bëjë pas 12.”

“Sot vetëm një ka frikë – Edi Rama. Demokracia do të fitojë më 11 maj.”

“Shqipëria dhe Europa kanë nevojë për njëra-tjetrën. Koha është tani.” /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit