

Berisha nga Kavaja: Më 11 maj i shtypet koka Sorosit të Tiranës – Shqipëria nis një udhëtim të ri drejt Europës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një tubim entuziast në Kavajë, u shpreh me tone të forta kundër qeverisë aktuale dhe kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi për një qeverisje 12-vjeçare pa rezultate dhe të mbushur me abuzime dhe korrupsion.
“Nuk ka një rekord për të paraqitur, sepse edhe aty ku ka ndërtuar diçka, ka vjedhur 9 dhe ka dhënë 1,” u shpreh Berisha, duke e cilësuar pushtetin aktual si të zbrazët nga vlerat dhe etikën familjare.
Duke u ndalur në vlerat konservatore që, sipas tij, përfaqëson Partia Demokratike, Berisha theksoi: “Ne jemi parti e familjes, parti e dashurisë për vendin dhe e dinjitetit njerëzor. Për ne, familja është sa tokësore, aq edhe hyjnore.”
Berisha akuzoi qeverinë për një retorikë të polarizuar që, sipas tij, synon të krijojë ndasi midis burrave dhe grave për të zhvendosur vëmendjen nga dështimet. “Skeçet e tua që përçajnë gratë dhe burrat janë turpi yt,” iu drejtua ai Edi Ramës.
Në kulmin e fjalës së tij, Berisha përdori një krahasim të fortë simbolik: “Më 5 nëntor iu shtyp koka Sorosit në Uashington, më 11 maj do t’i shtypet koka Sorosit të Tiranës.” Ai deklaroi se e majta ekstreme, e maskuar sipas tij me etiketa të rreme progresiste, do të përfundojë në “katakombet e historisë”.
Kreu i demokratëve përmbylli fjalimin me thirrjen për një fillim të ri për Shqipërinë: “Shqipëria, në shembullin e Kavajës, do të ngrihet fuqishëm në një udhëtim të ri drejt Europës, drejt rinisë së kombit shqiptar.”
“Rroftë Kavaja, rroftë Shqipëria! Fitore, fitore, fitore!” përfundoi ai mes duartrokitjeve të mbështetësve. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






