

Berisha nga Kavaja: Në Evropë nuk shkohet me krim dhe korrupsion, vetëm Partia Demokratike integron Shqipërinë
Në një takim me qytetarët e Kavajës, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh me vendosmëri se Shqipëria nuk mund të ecë drejt Bashkimit Europian nën peshën e krimit, korrupsionit dhe varfërisë që, sipas tij, kanë përfshirë vendin nën qeverisjen aktuale.
Berisha bëri thirrje të fortë për mobilizim të rinisë, duke theksuar se vetëm përmes një programi të ri mund të rikthehet shpresa dhe të ndalet shpopullimi i vendit. Ai prezantoi një sërë masash konkrete për të rinjtë shqiptarë:
Heqja e mesatares si kriter për pranimin në universitete.
Pagesa nga qeveria e sigurimeve shoqërore për çdo të ri të punësuar për një vit.
Ofertë e granteve prej 30 mijë eurosh për çiftet e reja për të mbuluar kredinë e shtëpisë.
5 vite pa taksa për të rinjtë që kthehen nga emigracioni.
Kredi të buta dhe mbështetje për startup-et.
“Ky është një program për çdo shqiptar,” theksoi Berisha, duke shtuar se fermerët do të përfitojnë pesëfishimin e subvencioneve dhe do të mbështeten në çdo njësi prodhimi.
Në një kritikë të ashpër ndaj kryeministrit Rama, Berisha e quajti atë një “narkodiktator” të pashpirt për qytetarët, duke e akuzuar për keqmenaxhimin e sektorit të shëndetësisë dhe luksin personal në kurriz të shqiptarëve.
“Tre muaj më parë Rama pranoi se në Onkologjik kryheshin krime kundër njerëzimit. Sot, situata është edhe më dramatike,” deklaroi ai, duke garantuar se qeveria e ardhshme e Partisë Demokratike do të dyfishojë buxhetin për shëndetësinë dhe do të barazojë listën e ilaçeve të rimbursueshme me atë të Italisë.
Berisha theksoi se Shqipëria mund të ecë drejt Europës vetëm duke ndërtuar një shtet ligjor dhe duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut. “Në Europë nuk shkohet me mjerim, krim dhe korrupsion. Në Europë shkohet me dinjitet dhe mirëqenie për qytetarët,” u shpreh ai.
Në fund të fjalës së tij, Berisha i cilësoi Partinë Demokratike dhe Koalicionin për Shqipërinë Madhështore si të vetmet forca politike që historikisht kanë qenë lokomotiva e integrimit europian dhe euroatlantik të vendit.

Batutat më të spikatura të Sali Berishës:
“Qëllimi më i fuqishëm është t’i rikthejmë Shqipërisë rininë e saj.”
“Në Europë nuk shkohet me krim, korrupsion dhe mjerim.”
“Në Shqipëri ka vetëm një forcë që integron vendin: Partia Demokratike.”
“Narkodiktatori më i pashpirt për qytetarët quhet Edi Rama.”
“Fermerët tanë do të njohin pesëfishim të subvencioneve, krenaria jonë do të jetë ‘Made in Albania’.”
Berisha: Ky program është një mision i vërtetë për të nxjerrë Shqipërinë nga ky spiral, që po e shkreton çdo ditë e më shumë

"Kjo fushatë çdo minutë dhe çdo ditë bën të qartë për çdo shqiptar se, shkaku i problemeve të mëdha, se shkaku i varfërimit dhe mjerimit të frikshëm të shqiparëve në 12 vite, se shkaku i largimit të shqiptarëve nga Shqipëria, se shkaku i rrënimit të sistemit shëndetësor, sistemi arsimor, është një dhe vetëm një, është Edi Rama, organizata e tij kriminale, që vjedh çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, shqiptarët, buxhetin, fondet, pasuritë e tyre publike.
Çdo ditë, çdo orë shqiptarët po përqafojnë më shumë programin e PD-së, programi që garanton shqiptarët se, do krijojë një mundësi të re për çdo qytetar.
Programi që garanton qytetarët se varfërinë ekstreme do ta zhdukë në 100 ditët e para nga Shqipëria.
Se nuk do të ketë pension ndën 200 euro, se nuk do të ketë ndihmë ekonomike ndën 200 euro, se nuk do të ketë bursë studenti ndën 200 euro. Nuk do ketë rrogë minimale ndën 500 euro, se do ulë çmimin e energjisë në 7 lek për qytetarët, do përgjysmojë tarifat e ujit, do të japë kartën e konsumatorit për të gjithë pensionistët dhe rrogëultit.
Garanton sipërmarrësit e Kavajës, bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha, se përgjysmimi i taksave, se ulja e çmimit të energjisë në 6 lek nga 18, se përgjysmimi i tarifës së ujit se, çlirimi i tyre nga inspektoratet dhe gjoba janë zotimet tona solemne.
Pra ky program është program për çdo shqiptar, nuk është program i një partie. Është program i një misioni të vërtetë për të nxjerrë Shqipërinë nga ky spiral, nga këto labirinte që po e shkretojnë atë çdo ditë e më shumë".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






