Transmetuar më 25-04-2025, 20:15

Ish-Kryeinspektori i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Elbasan, Andri Mehja është shpallur fajtor për korrupsion pasiv.

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion e dënoi me 2 vite burg, dënim që i konvertohet në 4 vite shërbim prove.

Ish-zyrtari i lartë akuzohet për “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe sipas vendimit të GJKKO, i hiqet gjithashtu e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, rezulton se ish-kryeinspektori i Mbrojtjes së Territorit në Elbasan ka marrë para për të favorizuar një ndërtim pa leje, vepër e kryer në bashkëpunim me punonjësin e Inspektoratit të Ndërtimit në Elbasan, Gentian Bako.

Edhe ky i fundit është shpallur fajtor për korrupsion dhe është dënuar me 2 vite burg nga Gjykata e Posaçme, por që i konvertohet në 4 vite shërbim prove.

Dy ish-zyrtarët u arrestuan në vitin 2024 me urdhër të SPAK, pasi hetimet zbuluan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin marrë ryshfet në lidhje me një objekt të ndërtuar pa leje në Elbasan.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit