Transmetuar më 25-04-2025, 18:00

Berisha: Gratë dhe nënat shqiptare do të jenë të parat që do ta ndëshkojnë Edi Ramën në zgjedhje

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një deklarate në vijim të fushatës zgjedhore, ka drejtuar kritika të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për përdorim të burimeve shtetërore dhe manipulim të fushatës përmes detyrimit të administratës publike dhe të rinjve për të marrë pjesë në takime elektorale.

“Takimet e mia janë të elektrizuara sepse aty mblidhen njerëz të lirë. Ndërsa ato të Edi Ramës janë me detyrim, me regjistër dhe me presion nga qendrat e punës. Kjo është një dhunë ndaj kodit elektoral,” tha Berisha, duke shtuar se kjo sjellje i përket një “shteti elektoral” dhe jo një demokracie funksionale.

Ai akuzoi Kryeministrin se po përdor qëllimisht një fushatë të fokusuar te gratë dhe vajzat, por sipas tij, me qasje të gabuar dhe fyese ndaj rolit të tyre në shoqëri. “Nuk ka grua që pranon të ofendohet përmes fyerjes së burrit apo familjarëve të saj. Edi Rama i trajton gratë me përbuzje, duke i nënvlerësuar si thjesht objekte votash apo si mjete për të kompensuar plagët që u ka shkaktuar,” u shpreh Berisha.

Sipas tij, nënat dhe gratë shqiptare janë ato që kanë mbajtur mbi supe peshën e emigracionit, papunësisë, varfërisë dhe rrënimit të arsimit. “Gratë janë ato që kanë mbetur për të mbajtur shtëpinë, për të rritur fëmijët në mungesë të bashkëshortëve të larguar për bukën e gojës. Janë ato që punojnë me tre punë, që përballen me shkolla pa kushte dhe shëndetësi të rrënuar. Dhe janë pikërisht ato që do i japin reston Edi Ramës në zgjedhje,” tha Berisha.

Ai shtoi se gratë shqiptare kanë “flintin më të lartë moral” dhe do të reagojnë me votë ndaj, sipas tij, mashtrimeve dhe përbuzjes që u është bërë ndër vite. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit