

Mbështetja për biznesin e vogël, çelësi për zhvillimin ekonomik të Shkodrës: Rama në takim me sipërmarrësit lokalë
Në vijim të axhendës elektorale, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim të gjatë dhe të detajuar me sipërmarrësit e vegjël të qytetit të Shkodrës, ku u diskutuan sfidat reale të biznesit të vogël dhe u prezantuan planet e qeverisë për lehtësimin dhe zhvillimin e tij si motor kyç për ekonominë lokale, punësimin dhe rritjen e qëndrueshme.
I shoqëruar nga Ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj dhe Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, Rama dëgjoi shqetësimet konkrete të qytetarëve dhe iu përgjigj gjerësisht pyetjeve që preknin sektorë të ndryshëm: nga fiskaliteti, infrastruktura, energjia, turizmi malor, riciklimi, deri tek kultura dhe teknologjia.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri theksoi se mbështetja për biznesin e vogël do të vazhdojë deri në vitin 2029 me tatim zero, ndërsa vuri theksin tek potenciali i madh ekonomik që mbart Shkodra në fusha si turizmi, arti, riciklimi dhe teknologjia.
Rama prezantoi gjithashtu planet konkrete për ndërtimin e hapësirave të reja për inovacionin në qytet, përmendi projektet kulturore dhe turistike në zhvillim si muzeu i lundrimit, pinakoteka, hapësirat e muzealizimit pranë Xhamisë së Madhe, si dhe përmendi vendosjen e sistemit të inteligjencës artificiale për kontroll fiskal, për të shmangur inspektimet e panevojshme dhe abuzive mbi bizneset.
Një pjesë e veçantë e takimit u përqendrua tek turizmi malor dhe zhvillimi i zonave të thella si Vermoshi, ku u premtua përmirësimi i infrastrukturës elektrike dhe zgjidhje për problemet e pronësisë përmes "Paketës së Maleve".

PREMTIMET KRYESORE NGA TAKIMI NË SHKODËR
1. Tatim zero për biznesin e vogël deri në 140 mijë euro xhiro, i garantuar deri në vitin 2029.
2. Taksa 5% për xhiro mbi 140 mijë, për të stimuluar deklarimin real dhe aksesin në kredi.
3. Pa pagesë për TVSH për bizneset deri në 100 mijë euro qarkullim.
4. Zbatimi i inspektimeve inteligjente përmes AI, që do zëvendësojnë inspektorët fizikë.
5. Ndërtimi i një hapësire teknologjike në Shkodër, në modelin e Piramidës së Tiranës.
6. Rikualifikimi i TV Shkodrës dhe uzinës së telit si qendra për inovacion dhe kulturë.
7. Hapja e muzeut të lundrimit dhe e pinakotekës së Shkodrës, si pjesë e valorizimit kulturor.
8. Muze i kujtesës në Shkodër, për të dokumentuar të shkuarën e errët të regjimit komunist.
9. Zgjidhje për energjinë në Alpe dhe Vermosh me ndërtimin e një nënstacioni të ri elektrik.
10. Zgjidhje për pronësinë në zonat malore përmes "Paketës së Maleve" me lehtësim të procedurave për investime turistike.
11. Mbështetje për riciklimin dhe industrinë e gjelbër, në kuadër të kapitullit të mjedisit në negociatat me BE.
12. Iniciativa për bashkëpronësi publike-private në sektorin agroturistik dhe të përpunimit ushqimor me përfshirje të bashkive.
13. Nxitje për formalizimin dhe rritjen e kapaciteteve bankare të bizneseve të vogla.
14. Rritje e vlerës së pronave në qytet si efekt i investimeve publike në infrastrukturë dhe kulturë.
15. Vëmendje për mirëmbajtjen e rrugëve dhe zgjerimin e infrastrukturës për mbetje ricikluese. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






