Transmetuar më 25-04-2025, 16:23

Gazetarja Eni Vasili është nga sot drejtore e përgjithshme e rrjetit të Radio Televizionit Shqiptar. Ajo mblodhi 7 vota nga 11 anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH, në një votim të dytë pasi i pari dështoi dhe çoi në seri dorëheqjesh nga ky Këshill.

Në votimin e sotëm ishin dhe dy kandidatura të tjera, Zoje Jakaj (Marashi) dhe Engjëllush Musai, dukshëm inferiore ndaj Vasilit, gjë që duket se ka rritur shanset e saj për ta fituar postin në këtë proces të përsëritur votimi.

Epopeja e drejtuesve të RTSH vitet e fundit është e mbushur me hije skandali për abuzime financiare duke bërë që drejtues si Thoma Gëllçi të përfundojnë në burg.

Pasardhësi i tij Alfred Peza zgjodhi të japë dorëheqjen vetëm një vit pas zgjedhjes, në një situatë ku emri i tij u përfshi në një vorbull akuzash dhe dyshimesh për ngacmime nga një gazetare.

Eni Vasili u vendos sot në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Publik Shqiptar, duke fituar një mandat pesëvjeçar.

Deri dje ajo drejtonte emisionin Open në News 24, në transmetim atje për disa vite. I njëjti program ishte në Top Channel për disa vite.

Më herët ajo ishte në News24 me Studio e Hapur.

Fillesat kryesore në televizion ajo i ka në Alsat Tv ku ishte drejtuese e lajmeve.

Eni Vasili ka prezantuar në Këshillin që e votoi, një platformë dhe vizionin e saj për RTSH. Ky dokument nuk është bërë publik. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit