

Partia Demokratike ka kallëzuar në KQZ kryeministrin Edi Rama dhe kërkon marrjen e masave ligjore ndaj tij, lidhur me deklaratën e bërë në një nga tubimet, ku mes të tjerash u tha të pranishmëve ‘kërkoni fotot e mia nudo, i keni në google nëse doni’.
Në kërkesën e dërguar KQZ-së, Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, PD ngre shqetësimin për “përdorimin e gjuhës seksuale, përfshirjen e fëmijëve në fushata politike dhe nxitjen e agresionit verbal ndaj shtresave të ndryshme të popullsisë nga kryeministri Edi Rama”.
E djathta i referohet deklaratës së bërë nga kryeministri gjatë një takimi elektoral në 21 prill në Spille. Sipas PD-së, ky koment i Ramës përbën një shkelje të rëndë të normave morale, ligjeve në fuqi për mbrojtjen e fëmijëve si dhe standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të miturve dhe dinjitetin e funksioneve publike.
Po ashtu, cilësohen të patolerueshme termat e përdorur nga Rama si ‘autik’ apo ‘çyryk’.
Me këto arsyetime, partia më e madhe opozitare kërkon nisjen e menjëhershme të hetimeve administrative dhe marrjen e masave ligjore ndaj Kryeministrit dhe urdhërimin e heqjes e të gjitha materialeve me përmbajtjet problematike nga radiot, TV, faqet e internetit apo rrjetet sociale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






