Transmetuar më 25-04-2025, 08:54

Arabia Saudite troket në derën e Barcelonës për një nga yjet e saj. Klubet nga Lindja e Mesme po vijojnë të synojnë talente të mëdhenj, që luajnë në kampionatet elitare të Europës, duke i joshur me oferta marramendëse.

Kësaj here bëhet fjalë për Al-Hilal, që ka vënë në shënjestër Raphinha, sulmuesin brazilian të skuadrës blaugrana. Sipas asaj që raporton gazeta spanjolle “Sport”, klubi saudit ka ofruar një shifër rekord prej 100 milionë dollarësh për ta bindur Barcelonën ta lëshojë brazilianin.

Në fakt nuk është vetëm oferta për klubin katalanas, ajo që bie në sy. Siç ndodh shpesh, klubet saudite shfaqen edhe me një propozim të parezistueshëm për lojtarin. Raphinhas i është ofruar një kontratë 4-vjeçare me vlerë 200 milionë dollarë. Mbetet për t’u parë nëse kjo do të mjaftojë për ta bindur sulmuesin brazilian.

Në këtë sezon, lojtari i lindur në vitin 1996 po shfaq formë të jashtëzakonshme. Në 49 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, ndërkohë që Barcelona është ende në garë në tri fronte, përfshirë gjysmëfinalen e Champions League kundër Interit, Raphinha ka shënuar 30 gola dhe ka dhënë 23 asiste. Pothuajse gjithmonë titullar, ai ka qenë në fushë për gjithsej 3952 minuta lojë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit