Transmetuar më 25-04-2025, 08:52

UEFA është duke shqyrtuar mundësinë për të implementuar disa ndryshime të rëndësishme në formatin e ri të Ligës së Kampionëve, i cili ka hyrë në fuqi këtë sezon, me një fazë të re ligë me 36 skuadra, përpara se të nisë faza me eliminim direkt.

Sipas asaj që raporton e përditshmja gjermane “Bild”, në tryezën e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s janë tri propozime kryesore që po merren seriozisht në konsideratë:

1. Avantazh fushe për më të mirët

Dy skuadrat që e mbyllin fazën e ligës në vendin e parë dhe të dytë do të kenë avantazhin t’i luajnë ndeshjet e kthimit në shtëpi deri në gjysmëfinale. Ndërkohë, katër vendet e para do ta përfitojnë këtë avantazh në çerekfinale. Me këtë ndryshim, UEFA synon të zgjerojë shpërblimin për skuadrat që shkëlqejnë në fazën e parë, një përfitim që aktualisht aplikohet vetëm në raundin e 1/8-ave.

2. Fund shtesave

Në rast barazimi në rezultatin total pas ndeshjes së dytë, nuk do të luhen më 30 minuta shtesë. Për të shmangur ngarkesën fizike të futbollistëve, përballjet do të kalojnë menjëherë te penalltitë.

3. Ndalohet përballja brenda të njëjtit kampionat

Një tjetër ndryshim që po diskutohet është rikthimi i rregullit që ndalon përballjet mes skuadrave të së njëjtës ligë deri në fazën çerekfinale. Aktualisht, ekipe nga e njëjta kombësi mund të përballen që në fazën “play-off”, para 1/8-ave, siç ka ndodhur edhe këtë sezon. Megjithatë, kjo ide mbetet më e vështira për t’u zbatuar për shkak të ndërlikimeve të shortit.

Të gjitha këto ndryshime pritet të diskutohen më 30 maj, gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, vetëm një ditë përpara finales së Champions League 2024/25, që do të zhvillohet në Mynih. Nëse miratohen, këto rregulla do të transformojnë ndjeshëm mënyrën se si përjetohet turneu më prestigjioz europian për klube, duke e kthyer fazën e ligës në një element vendimtar për rrugëtimin e çdo skuadre.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit