

Ëndrra e tripletës sezonale për Interin u shuajt të mërkurën mrëma. Humbja e thellë 3-0 në “San Siro” ndaj Milanit, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, mbylli përfundimisht rrugëtimin e zikaltërve drejt tripletës.
Skuadra zikaltër mbetet ende fuqishëm në garë për “scudetto” dhe Champions League, me Botërorin e Klubeve në horizont, por Inzaghi e dëshironte veçanërisht Kupën e Italisë. Në fund të ndeshjes, pas golit të tretë të skuadrës së Conceicaos, të shënuar nga Reijnders, kamerat kapën trajnerin zikaltër duke shpërthyer ndaj gjyqtarit të katërt, Aureliano.
Inzaghi ishte i irrituar me vendimin për të akorduar minuta shtesë në një ndeshje që ishte praktikisht e mbyllur. Trajneri i zëmëruar i bërtet Aurelianos: “Nuk dua shtesë, a dëgjon?! Mos më merrni për budalla, a dëgjon?! Mos tall b*thën! Nuk dua! Nuk dua!”
Gnooo si passano la palla sul 3-0 non ci prendete per il culo non voglio il recupero gnooo #inzaghi #demone #InterMilan pic.twitter.com/jN2Jh4gUw8
— Ste_87 (@ste_baraldi) April 23, 2025
Një nga ndihmësit e tij ndërhyn për ta qetësuar, edhe vetë gjyqtari i katërt përpiqet ta zbusë situatën. Ndeshja përfundoi pa minuta shtesë, por përpara se të largohej për në dhomat e zhveshjes dhe ta linte pas humbjen, Inzaghi shkoi të debatonte me arbitrin kryesor Doveri, i cili e ndëshkoi me karton të verdhë. Videoja e shpërthimit ndaj Aurelianos u përhap me shpejtësi në rrjet dhe u bë “virale” në pak orë.
Tani Interi e ka të gjithë vëmendjen te ndeshja e shtyrë për të dielën ndaj Romës së Ranierit në “San Siro” dhe më pas, të mërkurën, e pret një përballje vendimtare në transfertë ndaj Barcelonës, e vlefshme për gjysmëfinalen e parë të Champions League.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd