Transmetuar më 25-04-2025, 08:13

Ruud Gullit nuk i ka kursyer fjalët për të përshkruar momentin e vështirë që po kalon Milani. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, legjenda e futbollit holandez ka shprehur shqetësimin e tij të madh për krizën e klubit ku shkëlqeu si lojtar:

“Si e shoh të ardhmen e Milanit? Sinqerisht, nuk e di. Kam qenë aty para Krishtlindjeve për ndeshjen ndaj Genoa dhe ishte situatë e tmerrshme. Tifozët e Milanit e kanë të vështirë ta pranojnë këtë realitet, nuk e njohin më këtë skuadër”.

Gullit thekson se problemi nuk është vetëm tek rezultatet, por në humbjen e identitetit të klubit: “ADN-ja është thelbësore për të gjetur sërish thelbin tënd, stilin e lojës që përfaqëson identitetin tënd.

Mendoni për Liverpool-in: iku Klopp, erdhi Slot, por nuk e ndryshoi natyrën e vet si klub. Atje, njerëzit ende e njohin stilin e klubit. Milani duhet të vendosë se çfarë dëshiron të jetë, më pas të marrë trajnerin dhe lojtarët që i përshtaten asaj ideje”.

Në këtë sezon zhgënjyes, fitimi i Kupës së Italisë mbetet shpresa e fundit, sipas Gullit: “Nëse Milani do të shpëtojë sezonin, duhet ta fitojë Kupën e Italisë. Fatmirësisht është në finale, pasi eliminoi edhe Interin. Ky trofe i hap derën për në ‘Europa League’, që për momentin është e mbyllur”.

I pyetur për trajnerin Conceição, holandezi shprehet me diplomaci, por edhe me qartësi: “Nuk jam unë ai që duhet të gjykoj nëse duhet të vazhdojë apo jo, por te Milani duhet të fitosh. Për këtë theksova rëndësinë e Kupës së Italisë. Conceição është një trajner i mirë, por ka ardhur në një moment të vështirë.

Marrja e një skuadre në mes të sezonit është gjithmonë e komplikuar. Fitorja në Superkupë ishte një goditje me fat, askush nuk e priste. Ajo mund të ishte baza për të ndërtuar diçka, por nuk ndodhi kështu. Milani duhet të kualifikohet në Champions League, përndryshe nuk mund të flasim për një sezon të mirë. Atje është vendi i Milanit”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit