Transmetuar më 25-04-2025, 08:09

Një skandal tronditës ka goditur klubin argjentinas San Lorenzo, i njohur ndryshe edhe si skuadra e zemrës së Papa Françeskut. Presidenti i klubit, Marcelo Moretti, është filmuar fshehurazi nga një emision televiziv duke marrë një shumë prej rreth 20 mijë euro “cash”, të cilat i ka futur në xhep.

Pas publikimit të pamjeve, ai ka dhënë dorëheqjen. Tashmë është hapur një hetim nga Federata Argjentinase e Futbollit.

Pamjet janë transmetuar nga emisioni "TLN Denuncia" në “Canale 9”, ku shfaqet një grua, e dyshuar si nëna e një lojtari të ri, që i dorëzon paratë Morettit. Dialogu i regjistruar tregon një marrëveshje të mundshme për t’i siguruar djalit një vend në ekip:

Gruaja: “Të jap 10 mijë, në rregull?”

Moretti: “25 mijë”.

Gruaja: “Në rregull, në korrik shohim për 15 mijë të tjera”.

Moretti: “Më jep 25 mijë, por firmos për djalin…”

Në një moment, ajo i dorëzon paratë në dollarë amerikanë, të cilat presidenti i merr pa i numëruar. Ai gjithashtu dëgjohet duke folur për nivelin e lojtarëve të rinj dhe vlerësimet që ka bërë.

Pas skandalit, Moretti ka mohuar çdo akuzë dhe e ka quajtur ngjarjen një “donacion spontan”. Në një deklaratë në rrjetet sociale, ai tha: “Nuk ishte ryshfet, ishin para në arkën e klubit. Do të paraqitem para gjykatave dhe do të provoj pafajësinë time. Po marr një periudhë pushimi për të mbrojtur institucionin”.

Ndërkohë, Federata Argjentinase e Futbollit ka hapur një hetim zyrtar për shkelje të nenit 60 të statutit, teksa Moretti rrezikon deri në dy vite pezullim nga çdo funksion sportiv.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit