Transmetuar më 24-04-2025, 22:51

Një tjetër çështje shqetësuese është duke marrë vëmendje të gjerë publike dhe institucionale. Policia e Kosovës arrestoi prillin e kaluar një prej të dyshuarve si pjesëtar i grupit “Albkings”, një grup i krijuar në rrjetin Telegram, që shpërndante foto dhe video intime të vajzave dhe grave, shpesh të shoqëruara edhe me numrat e tyre të telefonit.

Ky grup u kthye në një kërcënim serioz për sigurinë dhe dinjitetin e shumë vajzave në Kosovë dhe Shqipëri, pasi jo vetëm denigronte imazhin e tyre publikisht, por përdorte përmbajtjen intime për shantazh dhe kërcënime.

Për këtë skandal janë nisur hetime edhe nga Njësia për Krimin Kibernetik në Tiranë, për të zbuluar autorët dhe për të ndalur këtë valë shantazhi dixhital.

Në redaksinë e emisionit investigativ “Stop”, që transmetohet në TV Klan, kanë mbërritur dy denoncime shqetësuese që lidhen me këtë fenomen. Një qytetar ka treguar se, duke hyrë në një aplikacion për lojëra, është përballur me video intime të vajzave. Ai deklaron se në aplikacionin Discord – që është i njohur për komunikim mes lojtarësh – janë krijuar grupe ku shpërndahen video erotike, përfshirë edhe të vajzave minorene.

Denoncimi i dytë vjen nga një prind, i cili ka zbuluar në telefonin e fëmijës së tij praninë e këtyre aplikacioneve, përfshirë Discord, dhe ka parë se aty shpërndahen përmbajtje të papërshtatshme.

Emisioni “Stop” ka siguruar pamje konkrete nga këto komunikime, ku duken qartë shkelje të rënda të privatësisë dhe të drejtave të të miturve. Eksperti i IT-së, Tomi Kallanxhi, shpjegon se Telegrami është një platformë shumë e vështirë për t’u kontrolluar nga autoritetet, pasi funksionon me kriptim të lartë dhe nuk lejon kontroll të përmbajtjes nga vetë aplikacioni. Sipas tij, për të vepruar ligjërisht ndaj abuzuesve, mund të identifikohen vetëm individët përmes hetimeve konkrete.

Sa i përket aplikacionit Discord, ai thekson se institucionet shqiptare duhet të ndërhyjnë përmes kanaleve zyrtare dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në mënyrë që të kërkohet mbyllja e grupeve abuzuese dhe bllokimi i përmbajtjeve që shkelin ligjin dhe të drejtat e njeriut.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit