Transmetuar më 24-04-2025, 20:35

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, iu drejtua sonte grave dhe vajzave socialiste të qarkut Elbasan një mesazh të qartë: roli i tyre është vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Partisë Socialiste.

Ai e nisi me një falënderim për pritjen dhe pjesëmarrjen, duke ndarë një histori personale për një takim në Gramsh, që e vonoi pak, por i dha mundësinë të reflektonte mbi rëndësinë e grave në politikë.

“Një burrë pa gruan është gjysmak, një parti pa gratë është çyryk” – tha Rama, duke ngritur në piedestal rolin e grave brenda forcës politike që ai drejton.

Kryeministri kujtoi kohët e vështira kur Partia Socialiste kishte vetëm 12% pjesëmarrje femërore, duke theksuar se sot kjo shifër është rritur në 40%, dhe qëllimi është arritja e 50 mijë grave anëtare – një më shumë se burrat. Ai vlerësoi figurën e një militanteje të vjetër, Luli, si simbol i qëndrueshmërisë në kohë të vështira, duke pohuar se prej saj nisi ringritja e PS-së në Elbasan.

Duke folur për barazinë gjinore, Rama përmendi rezultatet konkrete: 50% gra në këshillat bashkiakë, një qeveri që renditet në top 5 të OKB për barazi gjinore, dhe 30% të sipërmarrjeve të drejtuara nga gra. Ai shtoi se bashkëdrejtimi në organizatat socialiste po funksionon më mirë se sa ishte parashikuar, dhe ky është një model që duhet të vijojë.

Në pjesën më politike të fjalimit, Rama u ndal te rëndësia e 11 majit, duke theksuar se zgjedhjet e ardhshme janë më shumë sesa një betejë politike: janë një moment historik për të çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian. Sipas tij, Shqipëria është më pranë se kurrë për të përmbyllur negociatat brenda vitit 2027 dhe kjo është një mundësi që nuk duhet humbur.

Ai risolli në vëmendje reformën në drejtësi dhe faktin që për herë të parë, drejtësia po prek edhe të pushtetshmit. Sipas tij, kjo është arsye për krenari, jo për turp.

Në përfundim, Rama theksoi se në këto zgjedhje nuk është fjala për të gjykuar Partinë Socialiste apo Edi Ramën, por për të zgjedhur mes një Shqipërie që ecën drejt Europës dhe një Shqipërie që mbetet në “kënetë”.

Batutat kryesore nga fjala e Edi Ramës në Elbasan:

“Një burrë pa gruan është gjysmak, një parti pa gratë është çyryk.”

“Atëherë, kur burra të dëshpëruar rrinin në zyrë, unë pashë vetëm një grua me cigare që nuk ishte dorëzuar: Lulin.”

“Ne i bëmë gratë 40%, tani do t’i bëjmë 50 mijë e një. Një më shumë se burrat.”

“Kur rrëzohet çuni, nuk thotë ‘o babë’, por thotë ‘o nënë’. Prandaj Partia Socialiste nuk duhet të rrëzohet, duhet të thotë ‘o nënë’.”

“Erdhi këneta, i mblodhi burrat nga të gjitha anët, por kaq plot e kaq të bukur sallën nuk e bën dot kurrë.”

“Vajzat tona duhet t’u bëjnë djemve demokratë një pyetje: je me Shqipërinë në Europë apo me Shqipërinë në kënetë?”

“Kjo nuk është një çështje e Edi Ramës. Kjo është një çështje e fëmijëve tuaj.”

"Na thonë si mund të votohet Edi Rama kur disa janë nën hetim. Por kjo tregon që drejtësia më në fund po funksionon.”

“Shqipëria do të jetë zonjë në tryezën europiane, jo popull i dorës së dytë.” /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit