

Simone Inzaghi e komentoi kështu humbjen 3-0 në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë ndaj Milanit: "Keqardhja është sidomos për atë që bëmë në pjesën e parë, duhej të kishim merituar diçka më shumë. Nuk ishim të mirë në shfrytëzimin e mundësive tona, ndërsa ata shënuan një gol shumë të bukur me mundësinë e parë, edhe pse duhej të ishim më të kujdesshëm.
Më pas, në fillim të pjesës së dytë, pësuam menjëherë golin e dytë, nuk ishim as shumë me fat. Maignan bëri mirë në goditjen me kokë të de Vrij, që mund ta kishte hapur përsëri ndeshjen. Sidoqoftë, bëmë më pak se në pjesën e parë dhe munguam në momentet vendimtare të ndeshjes, si në zonën tonë, ashtu edhe në të tyren".
Trajneri i Interit, duke folur për “Mediaset”,pati komplimente për kundërshtarët: "Duhet t’i japim merita edhe Milanit, në të pesë derbet e sezonit na ka vënë gjithmonë në vështirësi. Ne duhej të bënim diçka më shumë, unë i pari. Ata e merituan finalen, ne kishim nevojë për diçka më shumë".
E paevitueshme ishte pyetja për lodhjen fizike, e cila ishte e dukshme në fushë te shumë lojtarë: "Lodhja është aty, mendore dhe fizike, nuk ka nevojë ta mohojmë, por nuk duhet të jetë justifikim. Kemi pasur një kalendar më të ngarkuar se të tjerët, por nuk duhet të jetë justifikim. Ne e zgjodhëm këtë rrugë, që na ka dhënë shumë gëzime dhe disa zhgënjime, si ky, i madhi, i kësaj nate. Nuk jemi mësuar me dy humbje radhazi, do t’i analizojmë mirë.
Si do të rikuperohemi për kampionatin ose Ligën e Kampionëve? Punohet më pak në fushë, luhet dhe shikojmë përpara. Na pret muaji i fundit, ai më i ngarkuari, me të cilin do të përballemi me besim dhe ndihmën e tifozëve e klubit".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd