Transmetuar më 23-04-2025, 22:51

Kandidatja e PS në Roskovec, Zegjine Çaushi, nën hetim nga KQZ – procedurë administrative edhe për ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha

Zegjine Çaushi, kandidate e Partisë Socialiste për Bashkinë Roskovec, është kallëzuar zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga organizata “Qëndresa Qytetare” për shkelje të ligjit zgjedhor. Sipas denoncimit, Çaushi ka përdorur ambientet e një shkolle publike për qëllime elektorale, duke zhvilluar një aktivitet politik në godinën e shkollës 9-vjeçare “Rramen Dashi” në fshatin Arapaj.

KQZ ka pranuar denoncimin dhe më 22 prill 2025 ka nisur procedurat administrative ndaj Çaushit, me arsyetimin se veprime të tilla bien ndesh me rregullat e barazisë zgjedhore dhe ndalimin e përdorimit të aseteve shtetërore për qëllime politike.

Por rasti i Roskovecit nuk është i vetmi. KQZ ka hapur një tjetër procedurë administrative edhe ndaj ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Edhe ky rast u denoncua nga “Qëndresa Qytetare”, e cila publikoi pamje ku ministri shihet duke shpërndarë materiale elektorale nga një automjet i Ministrisë së Brendshme në Tiranë, konkretisht në rrugën “Haxhi Hafiz Sabri Koçi”, më datë 14 prill 2025.

Veprimet e Hoxhës janë cilësuar si shkelje e dispozitave ligjore që ndalojnë përdorimin e mjeteve apo burimeve shtetërore në funksion të fushatës zgjedhore.

KQZ, bazuar në nenin 92 të Kodit Zgjedhor dhe nenin 13 të rregullores së Komisionerit Shtetëror, ka nisur verifikimet për të dyja rastet dhe ka paralajmëruar masa në përputhje me legjislacionin në fuqi nëse provat konfirmohen.

Vendimi i KQZ-së për fillimin e procedurës administrative ndaj Zegjine Çaushit Kallëzimi i “Qëndresa Qytetare” ndaj Zegjine Çaushit dhe Ervin Hoxhës

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit