

“Gjithçka nisi nga një sherr banal për një femër” – E bija e Gjovalin Prendit rrëfen të vërtetën: Kush janë autorët, çfarë ndodhi me të atin dhe të vëllain
Viola Prendi, e bija e 64-vjeçarit Gjovalin Prendi të vrarë më 17 prill në Pllanë të Lezhës, ka dalë publikisht me një thirrje të drejtpërdrejtë për drejtësi dhe për gjetjen e autorëve që sipas saj janë të njohur për familjen.
“Kërkoj që të vihet drejtësi për kushërinjtë e mi, vëllanë tim, babanë tim. Të gjenden autorët, të kapen dhe të marrin dënimin e merituar”, deklaroi ajo.
Ngjarja tragjike e pak ditëve më parë është goditja e katërt për familjen Prendi, që nga viti 2014. Më 19 shkurt 2014 u vranë Taulant Prendi dhe Klodian Ndreca. Më 9 maj 2023, në Athinë, u ekzekutua Sidorel Prendi, i njohur dhe si Roan Brahimi. Dhe së fundmi, më 17 prill 2025, babai i tij Gjovalin Prendi u vra pranë lokalit të tij në Pllanë.
Viola Prendi tregon se babai i saj nuk kishte marrë asnjëherë ndonjë kërcënim. Ai jetonte i qetë dhe me bindjen se nuk i kishte hyrë askujt në hak.
“Babai im dilte në rrugë, thoshte nuk kam bërë keq ndaj njeriu, ndaj nuk kam pse të fshihem,” tha ajo.
Pas ngjarjes në Pllanë, një atentat tjetër ndodhi në Tiranë, ku mbetën të plagosur 4 persona. Fillimisht u dyshua se në shënjestër ishte bashkëshortja e Sidorel Prendit, por familja e mohon kategorikisht këtë pistë, duke thënë se ajo ndodhej në Lezhë në ato momente. Megjithatë, fëmijët e saj janë të traumatizuar nga pasojat e ngjarjes.
“Kemi fëmijë të terrorizuar, kanë frikë të shkojnë në shkollë. Thonë do na vrasin dhe ne si gjyshin,” tregon e bija e viktimës.
Ndryshe nga versioni që policia ka dhënë, se vrasja lidhet me të kaluarën e Sidorel Prendit dhe përfshirjen e tij në disa atentate dhe krime, familja ka një tjetër version. Viola Prendi përmend emra konkretë dhe shprehet se konfliktet kanë nisur nga një çështje banale.
“Çdo gjë nisi nga një konflikt banal për një femër. Rivali i vetëm është Ardian Gjeloshi, i biri Klajd Gjeloshi dhe aleatët e tyre. Ata janë organizatorët e vrasjes së babait dhe të vëllait tim. I kam deponuar edhe në polici,” deklaron ajo.
Sa i përket dyshimeve se vëllai i saj mund të ketë qenë përfshirë në vrasjen e Brilant Martinajt apo në ngjarje të tjera kriminale, Viola i hedh poshtë këto akuza dhe tregon se Sidorel Prendi nuk ka qenë në Shqipëri në atë kohë.
“Vëllai im kishte njohje me Ervis Martinajn, por nuk ishte kundërshtar i tij. Ka marrë një telefonatë, është revoltuar, ka shkuar e ka takuar dhe është kthyer po atë darkë. Ka ardhur në darkë në shtëpi, nuk është dhunuar siç thonë,” tregon ajo.
Familja Prendi kërkon që drejtësia të veprojë dhe të zbardhë njëherë e mirë të gjitha ngjarjet që kanë goditur këtë familje në më pak se një dekadë. Ajo bën thirrje për mbrojtje, siguri dhe përballje të drejtë me të vërtetën.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






