Transmetuar më 23-04-2025, 22:20

Dritan Rexhepi flet për herë të parë për çështjen e Jan Prengës: “Nuk kam lidhje, isha në burg në Ekuador”

Për herë të parë, Dritan Rexhepi ka dhënë dëshmi në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) lidhur me ngjarjen tronditëse të rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës, ndodhur në janar të vitit 2020. I njohur si një ndër personazhet më të përfolur në kronikën shqiptare, Rexhepi ka mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje, duke deklaruar se në atë periudhë ndodhej i burgosur në Ekuador, ku po vuante një dënim për trafik ndërkombëtar droge.

“Në fundin e vitit 2019 kam qenë jashtë Shqipërisë. Kam qenë në burg në Ekuador, i dënuar me 13 vite. Kishin kaluar 5 vite e 4 muaj burgim. Kam pasur kontakte vetëm përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot, por afërsi më të madhe kisha me një nga Kosova. U akuzova për trafik droge me 10 persona të tjerë, një prej tyre ishte shqiptar që më pas u shpall i pafajshëm”, deklaroi Rexhepi.

Ai ka sqaruar se nuk ka njohje me disa nga personazhet e tjerë që përmenden në këtë çështje, duke theksuar: “Gentian Docaj (Funiqi) e kam dëgjuar vetëm në media. Më ka sjellë avokatja dokumente nga burgu i Firences që vërtetojnë se nuk kemi qenë në të njëjtin sektor. As me Martin Bletën apo Korado Gështenjën nuk kam pasur kurrë njohje. Nuk kam bërë asnjë bashkëpunim nga burgu për trafik apo ndonjë gjë tjetër”.

Ai tha se për vjedhjen e drogës në portin e Portsmouth në Londër, që besohet të ketë qenë motivi për rrëmbimin e Jan Prengës, nuk kishte dijeni. “Në fund të vitit 2019 nuk kisha asnjë informacion për atë ngjarje. E mora vesh më vonë, nga mediat shqiptare”, deklaroi Rexhepi.

Ndër të tjera, ai tregoi edhe përpjekjet që kishte bërë për të marrë informacion për akuzat që qarkullonin ndaj tij: “Familjarët më thanë se më përmendin për një rrëmbim në Shqipëri. Tentova të merrja informacion përmes një të afërmi, por nuk arrita gjë. Madje më thanë se ka përgjime mes një personi që ka thënë ‘jam Gramozi nga Vlora’ dhe familjarë të viktimës. Por këto përgjime nuk janë bërë kurrë publike. Pse nuk i publikoni nëse ekzistojnë?”, ishte një nga pyetjet që ai shtriu gjatë dëshmisë.

Ai theksoi se është i gatshëm për përballje me familjarët e viktimës: “Ka ardhur vëllai i viktimës dhe ka thënë fjalët e veta. Jam i hapur për përballje, edhe me foto. Nuk i njoh ata persona. Mbaj përgjegjësi vetëm për çfarë bëj vetë, jo për çfarë thonë të tjerët”.

Rexhepi më tej shtoi: “Në këtë shtet unë nuk kam të drejta? Më përmendën për këtë çështje, më thanë përmes kunatit tim Dorjan Velaj, burri i motrës sime. Ai shkoi te Prokuroria e Tiranës, takoi një gazetar dhe i tha dy gjëra. Pastaj fola edhe unë me atë gazetar përmes kunatit. Kam folur me gazetarin Artan Hoxha dhe i kam dhënë disa foto që më pas i publikoi”.

Me këtë dëshmi të parë publike, Dritan Rexhepi kërkon të distancohet nga akuzat për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, duke u shprehur se ndodhej fizikisht i izoluar në një burg të huaj, pa kontakte për të ndikuar në ndonjë veprim kriminal në Shqipëri. Ai ka mohuar çdo përfshirje, duke lënë të kuptohet se akuza ndaj tij është ndërtuar pa fakte të drejtpërdrejta. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit