

SHBA: Arrestohet Fatjon Shytani, shtetas shqiptar i akuzuar për kontrabandim të emigrantëve të paligjshëm nga Kanadaja
Një aktakuzë federale e bërë publike dje në Gjykatën Federale të Brookly-nit ka vënë nën akuzë shtetasin shqiptar Fatjon Shytani, banues në Bronx, për drejtimin e një operacioni të paligjshëm kontrabande që synonte kalimin e emigrantëve nga Kanadaja në Shtetet e Bashkuara.
Ai u arrestua të dielën dhe u paraqit përpara gjyqtares Lois Bloom në një seancë gjyqësore zhvilluar pasditen e djeshme, thuhet në deklaratën e publikuar nga Departamenti i Drejtësisë, raporton noa.al.
Sipas autoriteteve amerikane, Shytani përballet me një dënim maksimal deri në 10 vjet burgim nëse shpallet fajtor për veprat penale të ngritura ndaj tij.
Rasti është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga qeveria e SHBA-së për të luftuar imigracionin e paligjshëm dhe krimin transnacional, në kuadër të operacionit federal “Take Back America”.
Hetimi ndërkombëtar, i realizuar në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese të SHBA-së, Kanadasë dhe Shqipërisë, çoi në identifikimin dhe arrestimin e Shytanit pas një operacioni të fshehtë.
Sipas dokumenteve të gjykatës, ai pranoi një pagesë prej 14,000 dollarësh nga një agjent i infiltruar, që u paraqit si klient që kërkonte të kontrabandonte partnerin e tij nga Kosova në SHBA. Marrëveshja përfshinte plane të detajuara për kalimin ilegal të kufirit SHBA-Kanada.
“Fatjon Shytani, një shtetas shqiptar, dyshohet se ka lehtësuar hyrjen e paligjshme të shtetasve të huaj në Shtetet e Bashkuara në këmbim të pagesave me para,” deklaroi Christopher G. Raia, Drejtor Ndihmës i FBI-së në Nju Jork.
Ndërkaq, Prokurori i SHBA-së për Distriktin Lindor të Nju Jorkut, John J. Durham, vlerësoi bashkëpunimin ndërkombëtar që çoi në ndalimin e Shytanit dhe nënvizoi se veprimet e tilla “minojnë integritetin e sistemit të imigracionit dhe përbëjnë rrezik serioz për sigurinë kombëtare”.
Ndjekja penale kundër Shytanit po drejtohet nga Prokurorët Ndihmës federalë Andrew Roddin, Stephanie Pak dhe Kate Mathews. Hetimet pritet të vazhdojnë në ditët në vijim për të identifikuar bashkëpunëtorë të mundshëm dhe rrjete të tjera të trafikut të paligjshëm të njerëzve. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






