

Zbulohet detaji tronditës në vrasjen e Ilaria Sulës: Telefoni i saj u gjet në shtëpinë e vrasësit filipinas, përdorej për të mashtruar familjarët
Hetimet për vrasjen makabre të Ilaria Sulës, 22-vjeçares shqiptare të vrarë në Romë më 26 mars nga ish-i i saj Mark Antony Samson, kanë zbuluar një tjetër detaj tronditës: celulari i saj është gjetur në banesën e autorit të krimit.
Mediat italiane raportojnë se telefoni u zbulua falë rrëfimit të vetë Samsonit, i ndihmuar nga avokatët e tij, pasi fillimisht ai kishte pretenduar se e kishte hedhur. Më pas, nën presionin e hetimeve, tregoi vendin ku e kishte fshehur: apartamenti i tij në rrugën Homs, lagjja afrikane e Romës – vendi ku ndodhi edhe vrasja.
Telefoni është tashmë në duart e hetuesve për ekspertizë mjeko-ligjore. Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është fakti se Samsoni ka përdorur telefonin e viktimës pas vrasjes për të dërguar mesazhe qetësuese dhe për të mashtruar të afërmit e saj, duke simuluar që ishte ende gjallë.
Paralelisht, edhe celulari i autorit është sekuestruar dhe po analizohen bisedat në rrjetet sociale për të zbuluar nëse vrasja ishte e planifikuar më parë.
Ndërkohë, në këtë akt të rëndë është përfshirë edhe nëna e Samsonit, e cila ka pranuar para autoriteteve se e ka ndihmuar të birin për të zhdukur gjurmët e gjakut dhe çdo provë në banesë pas krimit.
Kujtojmë se trupi i Ilaria Sulës u fut në një valixhe dhe u hodh në një zonë pyjore jashtë Romës. Vetëm pas presionit policor, 23-vjeçari me origjinë filipinase pranoi krimin dhe udhëhoqi hetuesit drejt vendit ku kishte fshehur trupin. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






