

Bayern Munich mund të ketë humbur një mundësi të rëndësishme verën e kaluar. Jonathan Tah, shtylla e mbrojtjes së Bayer Leverkusen, kampioni në fuqi i Gjermanisë, është tashmë i destinuar të largohet nga klubi si lojtar i lirë, në fund të këtij sezoni.
Qendërmbrojtësi gjerman, i lindur në vitin 1996, që ishte në qendër të negociatave mes Bayernit dhe Leverkusenit vitin e kaluar, nuk arriti atëherë një marrëveshje për çmimin e kartonit. Tani, me kontratën që i skadon dhe me largimin e sigurt, hapet një dritare e re mundësie për bavarezët.
Lothar Matthäus, legjendë e futbollit gjerman dhe rekordmen i ndeshjeve me kombëtaren, ka komentuar situatën për “Sky Deutschland”, duke kritikuar drejtuesit e Bayernit që nuk e mbyllën marrëveshjen në vitin 2024. Sipas Matthäus, pavarësisht konkurrencës që po rritet, Bayerni ka ende një mundësi reale për ta marrë mbrojtësin:
“Nuk është surprizë që Jonathan Tah do të largohet nga Bayer Leverkusen këtë verë. Tani është e konfirmuar. Është padyshim një humbje e madhe për Leverkusenin. Dhe për ta bërë më keq, ai largohet si lojtar i lirë. Kjo dhemb. Ai ishte një nga lojtarët kyç në suksesin e Leverkusenit”.
Largimi i Tah do të ketë peshë të madhe për ekipin e Xabi Alonsos, por Matthäus beson se e ardhmja e tij mund të jetë ende në Bundesliga, ndoshta pikërisht te Bayerni nën drejtimin e Kompany: “E shoh ende një mundësi për të në Bundesliga. Bayerni bëri një gabim verën e kaluar që nuk firmosi me të. Ndoshta Tah do të zgjedhë Bayernin këtë verë. Mbrojtja e Bayernit është ende një kantier ndërtimi, ka shumë pasiguri në atë repart”.
Kampioni i botës në vitin 1990 komentoi edhe situatën aktuale të qendërmbrojtësve të Bayernit: “Bavarezët nuk janë të kënaqur me Kim, edhe pse unë e vlerësoj si një mbrojtës të mirë. Ndoshta i duhet një lider pranë tij. Tah do ta sillte pikërisht këtë. Nëse do të kisha ndikim te Bayerni, do të tentoja të merrja më të mirët. Sigurisht, Tah është ndër më të mirët. Do ta merrja seriozisht në konsideratë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd