Transmetuar më 23-04-2025, 09:04

Nuk ka “nesër”. Kjo është thënë disa herë gjatë sezoneve të fundit të Milanit dhe, mes Serie A, Champions League e “Europa League”, gjithmonë ka përfunduar keq: kuqezinjtë nuk kanë festuar kurrë. Pra, atë “nesër” nuk e kanë përjetuar kurrë. Por sonte, ai “nesër” mund të bëjë vërtet diferencën: ose fitohet dhe kalohet turi kundër Interit, ose sezoni bëhet edhe më katastrofik, duke rrezikuar edhe sezonin e ardhshëm pa Europë.

Fjalët e Conceicao

Conceicao e di shumë mirë këtë dhe ndoshta për të motivuar lojtarët e tij, tregon besim: “Për ne është një ndeshje themelore, duam shumë të fitojmë dhe t’ua dhurojmë tifozëve këtë trofe. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe, të jemi shumë konkurrues”.

Nga pikëpamja taktike, Conceicao do të konfirmojë 3-4-3 që është përdorur në dy ndeshjet e fundit, jo mbrojtjen me katër, që nuk ka humbur asnjëherë këtë sezon kundër Interit. “Gjithmonë, – shpjegoi trajneri kuqezi, – kemi shtuar një element të pestë në fazën mbrojtëse, herë Musah, herë Jimenez.

Varet nga ajo që kërkojmë nga ndeshja dhe momenti i kundërshtarit, që në çdo ndeshje përpiqet të bëjë diçka ndryshe. Gjithmonë ka individualitete dhe dinamika të veçanta. Duhet të shfrytëzojmë dobësitë e tyre dhe të jemi të kujdesshëm ndaj pikave të tyre të zikaltërve”.

Prognoza e ndeshjes

Kujtojmë se gjysmëfinalja e parë ka përfunduar me barazimin 1-1. Pra, gjithçka nis në barazpeshë sonte. Megjithëse Interi ka 20 pikë më shumë se Milani në kampionat, kuqezinjtë i kanë hidhëruar zikaltrit me 2 barazime dhe 2 humbje në 4 ndeshjet direkte. Pra, konsiderohet një ndeshje krejtësisht e hapur.

Në lojë është një vend në finale kundër njërës skuadër mes Bologna dhe Empolit. Sfida ndërqytetase është caktuar të startojë sonte në orën 21:00, në stadiumin “San Siro” dhe do të gjykohet nga Daniele Doveri i seksionit “Roma 1”.

GJENDJA E INTERIT – Zgjedhje pothuajse të detyruara për Inzaghin, i cili përballet me mungesa të shumta dhe një kalendar të ngjeshur. Në formacionin klasik 3-5-2, përpara portierit J.Martinez do të jenë Pavard, Acerbi dhe Bastoni.

Acerbi, ish-lojtari i Lazios, është një nga tre të ndëshkuarit që rrezikojnë pezullimin (bashkë me Bisseck dhe Dumfries), por tekniku nuk pritet të heqë dorë prej tij. Calhanoglu, ish-lojtari i Milanit, do të luajë në rolin e organizatorit, me Barella (i favorizuar ndaj Frattesi) dhe Mkhitaryan në krahë.

Në të djathtë do të luajë Darmian, ndërsa në të majtë Dimarco. Në sulm, me mungesën e Thuram dhe Arnautovic jo në formë të mirë, Correa pritet të luajë nga minuta e parë si partner i Lautaros.

GJENDJA E MILANIT – Conceicao pritet të vazhdojë me formacionin 3-4-3, të përdorur në dy javët e fundit të kampionatit. Tomori, Gabbia dhe Pavlovic do të formojnë treshen mbrojtëse përpara portës së Maignan.

Fofana dhe Reijnders do të jenë në qendër të mesfushës, të mbështetur në krahë nga Jimenez (i avantazhuar ndaj Walker) dhe Theo Hernandez. Në qendër të sulmit pritet të luajë Abraham, duke plotësuar treshen me Pulisic dhe Leao. Megjithatë, ish-lojtari i Romës rrezikohet nga Jovic.

Nuk përjashtohet as mundësia që trajneri kuqezi ta nisë me skemën 4-2-3-1, me Walker si mbrojtës i djathtë, Theo në të majtë, Gabbia jashtë dhe Jimenez si pjesë e treshes ofensive së bashku me Pulisic dhe Leao, pas sulmuesit qendror.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit