

Sandro Tonali mund të jetë goditja e madhe e merkatos së verës për Juventusin. Mesfushori i Newcastle është gjithnjë e më shumë në “radarin” e bardhezinjve, që kërkojnë një “regjisor” të vërtetë për të marrë frenat e lojës në dorë, pavarësisht se kush do të jetë trajneri i ardhshëm në “Allianz Stadium”. Cristiano Giuntoli ka piketuar ish-lojtarin e Milanit si objektivin kryesor, por operacioni pritet të jetë shumë i ndërlikuar.
Newcastle kërkon të paktën 70 milionë euro për të nisur negociatat, një shifër jo e lehtë për t’u përballuar nga Juve, sidomos duke marrë parasysh rolin kyç që italiani ka pasur në rrugëtimin e “Magpies” drejt një vendi në Champions League. Pa harruar që kthimi i Tonalit në Itali është i pasigurt, për shkak të klimës së tensionuar pas zhvillimeve të fundit në çështjen e basteve.
Si mund të përmbyllet marrëveshja? Juventusi shpreson t’i ulë kostot përmes një formule që përfshin një shumë “cash” (rreth 30-40 milionë euro), plus një lojtar bardhezi në këmbim.
Fillimisht u përfol emri i Douglas Luiz, mesfushori që s’ka lënë shumë gjurmë në Serie A, por që ka ende adhurues në Premier League. Sidoqoftë, në orët e fundit ka marrë vrull një tjetër pistë: Dusan Vlahovic. Sulmuesi serb, me kontratë që skadon në verën e vitit 2026, nuk pranon rinovim me ulje page dhe është gjithnjë e më afër ndarjes me “Zonjën e Vjetër”.
Newcastle është në kërkim të një sulmuesi të nivelit të lartë. Klubi anglez është një ndër të paktët që mund t’i ofrojë Vlahovicit rrogë prej 12 milionë eurosh në sezon, aq sa do të përfitonte nga Juve sezonin e ardhshëm, gjithmonë nëse qëndron në Torino.
Një shkëmbim (Tonali-Vlahovic) që mund t’i kënaqë të dyja palët dhe të ndryshojë krejtësisht fytyrën e merkatos së verës në Serie A…
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd