

Sergio Conceiçao përpiqet t’i vendosë gjërat në vendin e vet, edhe pse Milani i tij po i afrohet fundit të një sezoni tepër zhgënjyes, me rrezik serioz për të mbetur fare jashtë Kupave të Europës, sezonin e ardhshëm. Shpëtimi vjen nga Kupa e Italisë, nëse e fiton atë. Por, për të shkuar në finale dhe pastaj shpresuar te fitimi i trofeut, duhet mposhtur Interi në gjysmëfinalen e kthimit, që do të luhet sonte, e cila rinis aty ku mbaroi sfida e parë, në barazimin 1-1.
Trajneri portugez i kuqezinjve nënvizoi në konferencën për shtyp: "Derbi është një ndeshje shumë e rëndësishme për të gjithë, për ata që punojnë në Milanello, për tifozët. Klubet e mëdha përpiqen të arrijnë deri në fund të kompeticioneve ku marrin pjesë, edhe ne e kemi këtë mundësi. Për Milanin duhet të jetë diçka normale të arrijë në finale. Duhet ta kuptojmë se çdo ndeshje është ndryshe nga të tjerat. Gjithçka do të varet nga ajo që do të bëjmë ne".
Një mendim për Papa Francesco, i cili u nda nga jeta më 21 prill…
Jam praktikues, çdo ditë shkoj në meshë, e kam bërë gjithmonë. Ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm, do të na mungojnë fjalët dhe shikimi i tij.
Çfarë ndeshjeje do të jetë ndaj Interit?
Klubet e mëdha synojnë të arrijnë deri në fund, në çdo kompeticion. I përgëzoj zikaltrit për Champions-in dhe kampionatin që po zhvillojnë, kjo tregon forcën e tyre. Për ne kjo ndeshje është thelbësore, sepse duam të fitojmë dhe të arrijmë në finale për t’iu dhuruar tifozëve një trofe. Për ta bërë këtë, duhet të fitojmë dhe të jemi konkurrues. Çdo ndeshje është e veçantë, suksesi do të varet nga ajo që bëjmë ne. Duhet të jemi në nivel të lartë.
A keni tentuar të zgjoni krenarinë e skuadrës suaj?
Para ndeshjes me Udinesen kisha ndjesi të mira dhe e thashë këtë, por i kisha edhe para Atalantës. Më pas nuk i përkthyem si duhet udhëzimet në fushë. Ishte një ndeshje e ekuilibruar, në pushim u rregulluam dhe Atalanta nuk e kaloi gjysmën e fushës për 15 minuta. Kishte një gabim kolektiv te goli, zakonisht ata që hyjnë në lojë sjellin diçka më shumë, por këtë herë nuk ndodhi. Tani ajo është e shkuara, ndeshja ndaj Interit është më e rëndësishmja. Skuadra ime është e vetëdijshme për këtë.
Si është Walker?
Është stërvitur me skuadrën, nuk është në formën maksimale, ashtu si Loftus-Cheek, por do të jenë të dy në dispozicion.
A është mbrojtja me tre lojtarë sistemi i duhur për Milanin, pavarësisht kundërshtarit?
Moduli është i rëndësishëm, por mbi të gjitha është puna në një sistem. Pastaj është çështje e dinamikave që duhet të ketë skuadra. Duhet të dimë të mbrojmë, t’i neutralizojmë pikat e forta të Interit. Edhe me skema të tjera kemi shtuar shpesh një lojtar më shumë në vijën e mbrojtjes. Njihemi mirë me Interin, por ekzistojnë edhe individualitetet që duhen marrë parasysh. Duhet të jemi të zotë të shfrytëzojmë pikat e tyre të dobëta. Zikaltrit kanë shumë cilësi me topin në këmbë, por edhe ne kemi. Kam parë gjëra të mrekullueshme në ofensivë, ndërsa në mbrojtje nuk kemi qenë në nivelin që duam. Duhet të punojmë në prapavijë, sepse shtëpitë ndërtohen nga themelet…
A keni parë një Inter të lodhur?
Ata po luajnë shumë ndeshje, por janë mësuar me një ritëm të tillë. Rikuperimi sot bëhet shpejt. Kam parë ndeshjen e tyre ndaj Bologna, më pëlqen t’i studioj kundërshtarët. Më pak apo më shumë të lodhur ndryshon pak, cilësia e tyre është gjithmonë e pranishme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd