

Janë zbardhur fjalët e fundit që Papa Françesku i tha stafit të tij, në momentet e fundit të jetës.
Sipas mediave të huaja, Papa i ndjerë ka folur për herë të fundit me mjekun e tij, që i qëndronte pranë në çdo moment. Në fund, Papa i është drejtuar duke i thënë: “Faleminderit që më nxore sërish në shesh”. Arsyeja e falënderimit ishte sepse mjeku Massimiliano Strappetti i qëndroi pranë dhe i mundësoi që të përshëndeste dhe takonte njerëzit të dielën e Pashkës, në sheshin Shën Pjetri. “A mund t’ia dal?”– ishte pyetja që Papa i kishte drejtuar mjekut, e më pas ky i fundit i kishte thënë se do i qëndronte pranë. Papa kaloi me makinën e tij dhe takoi dhjetëra qytetarë, e po ashtu bekoi disa fëmijë, edhe pse dukej i lodhur.
Papa e kaloi pasditen duke pushuar në rezidencën e tij të Vatikanit, Casa Santa Marta, dhe pati një darkë të qetë, raportoi Vatican News. Të hënën, rreth orës 5.30 të mëngjesit, u shfaqën shenjat e para të sëmundjes. Më shumë se një orë më vonë, ai përshëndeti me dorë Strappettin nga shtrati në atë që faqja e medias e përshkroi si ‘gjest lamtumire’ përpara se të binte në koma. Papa Françesku u shpall i vdekur në orën 7:35 të mëngjesit. “Ai nuk vuajti. Gjithçka ndodhi shpejt”, tha Vatican News, duke cituar njerëzit që ishin me Papën në momentet e tij të fundit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






