

Autori i masakrës së vitit 2019 në një supermarket në komunitetin hispanik të El Paso, Teksas, pranoi fajin dhe u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht. Patrick Crusius, i cili në atë kohë ishte 21 vjeç dhe kishte përqafuar teorinë e supremacisë së bardhë, u dënua në vitin 2023 nga një gjykatë federale me 90 burgime të përjetshme për vrasjen e 23 personave në këtë qytet, i cili ndodhet në kufi me Meksikën. Sot, ai arriti një marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorët e shtetit të Teksasit dhe u deklarua fajtor për të shmangur dënimin me vdekje.
Në fillim të gushtit 2019, Patrick Crusius postoi një tekst në internet që përsëriti teorinë e supremacisë së bardhë dhe foli për një “pushtim hispanik të Teksasit” ndërsa vlerësoi veprimet e masakrës së xhamisë Christchurch në Zelandën e Re, ku u vranë 51 njerëz. Më pas ai drejtoi makinën për dhjetë orë nga periferia e Dallasit ku jetonte në El Paso dhe hapi zjarr me një pushkë gjysmë automatike brenda një supermarketi Walmart.
Me të mbërritur policia në vendngjarje, ai ka zbritur nga një makinë me duart lart dhe duke deklaruar se ishte autori. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka rrëfyer se donte të vriste meksikanët. Nga 23 viktimat, tetë ishin meksikanë dhe pjesa tjetër ishin amerikanë me origjinë nga Amerika Latine. Masakra tronditi SHBA-në dhe ndezi një debat publik nëse ishte përgjegjëse retorika kundër imigracionit e presidentit republikan Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë. Masakra e El Pasos është një nga më vdekjeprurësit në historinë e SHBA.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd