

Muzeu Arkeologjik i Durrësit, një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore, po i nënshtrohet një restaurimi tërësor pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019. Ky investim strategjik synon të shndërrojë muzeun në një qendër moderne ekspozimi dhe edukimi, duke e kthyer në një prej atraksioneve kryesore të turizmit historik në vend.
Me një koleksion prej mbi 2400 objektesh arkeologjike të antikitetit, muzeu do të ofrojë pavione tërësisht të rinovuara, me ndriçim dhe kushte bashkëkohore. Riorganizimi përfshin jo vetëm ekspozitat në ambientet ekzistuese, por edhe zgjerimin e muzeut me një kat të dytë ekspozues, që do të ofrojë hapësira interaktive dhe inovative për vizitorët e të gjitha moshave.
Gjatë një vizite në kantierin e punimeve, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, u njoh me ecurinë e projektit dhe planet për transformimin e plotë të muzeut.
“Është një objekt që nuk mund të rrimë pa e treguar historinë. Ka pasur shumë tentativa të dështuara për ta kthyer në diçka tjetër, përfshirë edhe ide për ta kthyer në markatë. Tani po rilind siç duhet,” tha Kryeministri Rama, duke nënvizuar rëndësinë që ka ky muze jo vetëm për Durrësin, por për të gjithë trashëgiminë shqiptare.
Ai vuri theksin te vonesat që kanë ndodhur për shkak të problemeve ligjore dhe strukturore të trashëguara ndër vite. “Kemi trashëguar një objekt që ishte tokë pa letra, me shumë problematika. Tani të gjitha janë zgjidhur dhe projekti po ecën përpara,” shtoi Rama.
Ministri Gonxhja shpjegoi se projekti përfshin edhe rikualifikimin e gjithë hapësirës përreth muzeut, ndërtime ndihmëse për edukim dhe aktivitete, si dhe një ashensor panoramik për të siguruar akses të plotë në katin e dytë. “Kati i dytë do jetë më inovator, me aktivitete sociale, kurse, gjallëri, e hapësirë për fëmijët,” theksoi ai.
Në oborrin e jashtëm do vendosen struktura për ekspozita të hapura, ndërsa vizitorët do kenë mundësi të ndjekin një itinerar tematik që lidh zbulime të rëndësishme arkeologjike, përfshirë edhe mozaikun e Gjergj Kastriotit.
Kryetarja e Bashkisë Emiriana Sako theksoi rëndësinë e muzeut për turizmin: “Muzeu Arkeologjik tërheq një numër të madh vizitorësh, dhe pas këtij transformimi, pritet të jetë një pikë referimi jo vetëm për Durrësin, por për të gjithë vendin.”
Punimet pritet të përfundojnë në shtator të këtij viti, duke i dhënë qytetit të Durrësit një monument të rilindur që lidh historinë me të ardhmen dhe që përmbush standardet bashkëkohore të një muzeu europian. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd