Transmetuar më 23-04-2025, 07:58

Barcelona nuk ka marrë lajme të mira nga rezonanca magnetike e Robert Lewandowskit, pas shqetësimeve muskulore që e detyruan të kërkonte zëvendësim në fitoren dramatike ndaj Celta Vigos. Shqetësimi është i madh, sulmuesi polak ka pësuar një dëmtim në muskulin semitendinos të kofshës së majtë.

Edhe pse klubi nuk ka dhënë një afat rikuperimi, është e sigurt që do të mungojë në finalen e Kupës së Mbretit kundër Real Madridit, më keq akoma, edhe në gjysmëfinalen e parë të Champions League kundër Interit. Një goditje për planet e Hansi Flick në momentin më të rëndësishëm të sezonit.

Pavarësisht pasigurisë për dëmtimin, në moshën 36-vjeçare, Lewandowski nuk po jepte aspak shenja lodhjeje. Përkundrazi, në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, e botuar po të njëjtën ditë me lajmin për dëmtimin, ai tregoi se po shijon një "rini të dytë" te Barça: “Fizikisht ndjehem si më parë. Edhe kur shoh të dhënat fizike pas ndeshjeve, jam i kënaqur”.

Statistikat e vërtetojnë këtë: 99 gola në 142 ndeshje me fanellën blaugrana që nga viti 2022. Ai vinte pas një paraqitjeje të madhe kundër Borussia Dortmund, në çerekfinalet e Champions League, ku shënoi dy gola në ndeshjen e parë (4-0), ndërsa kthimi në Gjermani përfundoi me humbje 3-1, por me kualifikim për Barcelonën.

“Ishte një përvojë e rëndësishme. Kuptuam që duhet të japim 100% në të dyja ndeshjet”, – komentoi ai.

Përballja me ish-klubin ishte edhe një sfidë mendore. Ai u fishkëllua sa herë prekte topin, por u shpreh me mirëkuptim: “I kuptoj tifozët, por edhe ata duhet të më kuptojnë mua. Gjithmonë kam treguar respekt për Dortmundin. Kam luajtur 29 herë kundër tyre. Detyra ime është të fitoj”.

Bilanci i tij është i qartë: 29 ndeshje, 29 gola kundër ish-klubit të tij. Lewandowski stërvitet shpesh bashkë me bashkëshorten e tij, Anna, dhe përkushtimi ndaj trupit është bërë një mënyrë jetese për të. Ai tregon se rutina e kujdesit fizik ka nisur që në kohën kur luante te Borussia Dortmundi.

Në verë, qendra e tij e përgatitjes është shtëpia në Santa Ponça (Mallorca), jo larg vilës së Jürgen Klopp. Në intervistë nuk mungon as vlerësimi për Niko Kovaç, trajnerin aktual të Dortmundit, të cilin e njeh që nga koha te Bayerni: “Ka përvojë dhe punon me përpikëri. Mendoj se mund ta çojë skuadrën përpara. Përshtatet shumë mirë me BVB-në”.

Deri kur do ta shohim Lewandowskin në fushë? Ai përgjigjet me maturi: “Ndoshta deri në 40 vjeç, si Cristiano Ronaldo. Fizikisht është e mundur, por ndikojnë edhe shumë faktorë të jashtëm. Derisa të kem dëshirë, do të jap gjithmonë 100%”. Barcelona vetëm kryqëzon gishtat, sepse kur Lewandowski është në formë, e gjithë skuadra hyn në një tjetër dimension.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit