Transmetuar më 22-04-2025, 08:58

Te Bayern Munich po shërohen ende nga “plagët” e eliminimit në Ligën e Kampionëve nga Interi. Skuadra zikaltër fitoi 2-1 në ndeshjen e parë çerekfinale në “Allianz Arena” dhe më pas arriti të barazojë 2-2 në “San Siro”, në sfidën e kthimit.

Kapiteni i Bayernit, Joshua Kimmich, pas ndeshjes me Interin u shpreh qartë: “Nëse shohim shtatë apo tetë ndeshjet e fundit, kemi fituar vetëm dy ose tre. Qartësisht kaq nuk mjafton”. Në Gjermani nuk munguan kritikat në drejtim të tij, por Kimmich reagoi duke shënuar në fitoren 4-0 të bavarezëve ndaj Heidenheim dhe festoi në një mënyrë që tregonte çlirim emocional.

Ish-trajneri i Hamburgut, Bayernit, Wolfsburgut dhe Stuttgartit, kampion Europe si lojtar me Gjermaninë, Felix Magath, komentoi: “Në momente të tilla shpërthen frustrimi. Mendoj se edhe Joshua Kimmich është vetëkritik, gjithmonë e vlerëson si duhet paraqitjen e tij. Shënimi i këtij goli ishte një lehtësim për të”.

Magath analizoi edhe problemet e vërteta të gjigantëve bavarezë: “Problemi kryesor është struktura e skuadrës. Trajneri nuk jep siguri, ende nuk ka gjetur një formacion që për javë të tëra të japë përshtypjen se skuadra e tij ka gjithçka nën kontroll”.

Pastaj foli edhe për mbrojtësin koreano-jugor, Kim, i cili është kritikuar për disa gabime kohët e fundit: “Ata që vuajnë më shumë janë mbrojtësit si Kim. Dy vite më parë, Kim ishte mbrojtësi më i mirë në Itali. Dhe në Itali nuk luajnë futboll të keq, prandaj besoj se ai ka cilësi. Në fakt, skuadra bavareze nuk po funksionon mirë dhe ai po e vuan këtë”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit