Transmetuar më 22-04-2025, 08:32

Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri vitin e kaluar arritën në më shumë se 1.1 miliardë eurove dhe prekën një nivel të ri rekord historik vitin e kaluar. Të dhënat e Bilancit të Pagesave tregojnë se të ardhurat e investitorëve të huaj nga investimet për vitin 2024 arritën vlerën e 1.1 miliardë eurove, në rritje me 9.8% krahasuar me një vit më parë.

Kjo shumë përfshin fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në vendin tonë. Nëse nga shuma totale e të ardhurave nga investimet zbresim vlerën e fitimeve të riinvestuara (853 milionë euro), shuma e tërhequr nga investitorët e huaj vitin e kaluar mund të llogaritet në 256 milionë euro, me një rritje prej 21.3% krahasuar me vitin 2023.

Në kahun e kundërt, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet (të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit) për vitin 2024 u rritën në 294 milionë euro, 47% më shumë krahasuar me vitin 2022. Megjithatë, bilanci neto i të ardhurave nga investimet ishte gjerësisht negativ në vlerën e 815 milionë eurove, në nivele të përafërta me vitin 2023.

Investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit, ndaj bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ. Rimëkëmbja e shpejtë të ekonomisë pas pandemisë ka sjellë efekte pozitive edhe për ndërmarrjet e huaja që veprojnë në Shqipëri, duke ndikuar në rritjen e fitimeve. Megjithatë, një pjesë e mirë e rritjes mund t’i atribuohet forcimit të Lekut në kursin e këmbimit me Euron.

Në fund të vitit 2024, kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ishte 5.5% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërmarrjet e huaja në përgjithësi i sigurojnë të ardhurat e tyre në Lekë, ndërsa fitimet për aksionerët i shpërndajnë në valutë të huaj. Forcimi i Lekut ka bërë që e njëjta sasi e monedhës vendase të përkthehet në një vlerë më të lartë në valutë të huaj, kryesisht në Euro. Për këtë arsye, mes aktorëve që kanë përfituar nga rënia e Euros në kursin e këmbimit, janë edhe investitorët e huaj.

Duke qenë se një pjesë e mirë e fitimeve nuk shpërndahen, por riinvestohen, forcimi i Lekut, në mënyrë të tërthortë, ka ndikuar edhe në rritjen e investimeve të huaja në vitet e fundit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2024 fitimi i riinvestuar arriti në 853 milionë euro osa pothuajse sa 54% të totalit të investimeve të huaja direkte. Ato u rritën me 6.3% krahasuar me vitin 2023. Në vitet e fundit, fitimet e riinvestuara kanë kaluar në vlerë flukset e reja të investimeve të huaja direkte./Monitor/

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit