

Real Madridi fitoi, por pas suksesit 1-0 ndaj Athletic Bilbaos me një gol të mrekullueshëm të Federico Valverdes në fundin e ndeshjes, në fokus janë më shumë çështje jashtë fushës: e ardhmja e Carlo Ancelottit dhe sjellja e Vinicius ndaj tifozëve të vet, të cilët e kanë kritikuar gjatë javëve të fundit.
Ish-ylli i “Los Blancos”, që ka luajtur edhe tek Interi në Itali, Luis Figo, foli për rastin e brazilianit, i cili pasi shënoi një gol (që më pas u anulua), nuk festoi në shenjë proteste: “Nuk e di çfarë ka ndodhur dhe nuk më pëlqen të ndërhyj në gjëra që nuk i kam parë, por mendoj se nuk është kurrë gjë e mirë të jesh në kundërshtim me tifozët e tu. Nëse dëshiron që ata të të mbështesin, duhet të luash mirë që njerëzit të ndihen të lumtur me ty”.
Ish-futbollisti portugez theksoi rëndësinë e marrëdhënies mes lojtarëve dhe tifozëve të tyre, duke shtuar: “Ndoshta nuk të interesojnë tifozët e tjerë, por të tutë duhet të të duan, apo jo?”
Më pas, për Ancelottin, Figo ndryshoi ton: “Nëse do të qëndrojë? Kjo është një pyetje për Florentino Pérez, nuk e di. Për të qenë i sinqertë, unë jam në botën e futbollit prej shumë vitesh dhe e di që njerëzit kanë kujtesë të shkurtër, vlen vetëm rezultati i fundit.
Ndoshta kjo ndodh sepse është Real Madridi, por më duket shumë e çuditshme që një trajner i nivelit të Ancelottit të vihet në diskutim. Nuk e di…, më duket e çuditshme që menjëherë pas një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve, e vetmja pyetje në konferencë të ketë qenë për të ardhmen e trajnerit.
Si mund të trajtohet kështu dikush që ka fituar gjithçka dhe që çdo vit tregon vlerat e tij si trajner. Në futboll nuk mund të fitosh gjithmonë. Pra, nuk e di…, ky është mendimi im, u habita shumë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






