

Kapiteni i Liverpool-it, Virgil van Dijk, i cili sapo ka rinovuar kontratën me klubin, ishte ndër protagonistët e fitores ndaj Leicesterit. Kjo fitore e ka afruar edhe më shumë skuadrën e Arne Slot drejt titullit të 20-të në histori.
Momenti i bukur në fundin e ndeshjes ishte kur Van Dijk shtyu Trent Alexander-Arnold, autorin e golit të fitores, drejt tifozëve të Liverpool-it për të marrë duartrokitjet e merituara, në një kohë kur për të flitet më shumë për kalimin e tij të mundshëm te Real Madridi, sesa për atë që bën në fushë.
Pas ndeshjes, Van Dijk sqaroi se nuk ka folur me të për të ardhmen, sepse Trent tashmë është shumë në presion: “Mendoj se ka tashmë mjaftueshëm presion mbi vete, ndaj nuk ka kuptim ta vë edhe më shumë në siklet. Besoj se harrojmë që kemi të bëjmë me një qenie njerëzore.
Ndonjëherë një lojtar përjeton shumë gjëra në vetëm pak muaj dhe të gjithë krijojnë një opinion mbi atë si është sjellë. Ka shumë zhurmë rreth tij dhe sigurisht që të gjithë mund të diskutojnë për të ardhmen, kjo është pjesë e jetës sot.
Pas një goli kaq të rëndësishëm, mendova se meritonte një moment për të marrë duartrokitje, për të dalë përpara dhe shijuar ndeshjen. Pavarësisht nëse qëndron apo largohet, këto janë momente që nuk duhen marrë si të mirëqena.
Ai na dha neve, si skuadër, mundësinë për ta fituar atë ndeshje. Kështu që mendoj se e meritonte atë moment. Tani është koha për t’u kthyer në punë dhe për t’u përgatitur për fundjavën”.
Liverpool-i mund të shpallet kampion që të mërkurën, nëse Arsenali humbet në shtëpi ndaj Crystal Palace. Përndryshe, festa do të shtyhet për të dielën, ku një fitore ndaj Tottenhamit do të mjaftonte për të mos pasur më llogari për të bërë.
“Pres që Arsenali të fitojë në shtëpi, por nëse nuk ndodh, do të ishte bukur të ishim të gjithë bashkë për ta parë ndeshjen. Në çdo rast, do ta diskutojmë këtë në ditët në vijim”, – përfundoi Van Dijk.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






