

Ish-sulmuesi i Real Madridit dhe përfaqësueses spanjolle, Fernando Morientes, ka përjetuar së fundmi një problem serioz shëndetësor, që e detyroi të kalonte pesë ditë në spital. Në një intervistë për “Marca”, ai tregoi se kishte pësuar një trombozë, ndoshta si pasojë e udhëtimeve të shumta dhe stresit të akumuluar.
“Kalova pesë ditë në spital. Ishte një frikë e madhe, mendova për vdekjen”, – u shpreh ish-futbollisti, dukshëm i tronditur nga ajo që i ndodhi.
Morientes shpjegoi se lëvizjet e shpeshta për arsye profesionale dhe personale mund të kenë ndikuar në shfaqjen e problemit, duke theksuar rëndësinë e dëgjimit të sinjaleve të trupit.
“Nuk ndihesha mirë pas shumë udhëtimesh. Gjatë njërit prej tyre, fillova të ndieja dhimbje në kraharor, një pickim i fortë poshtë sternumit. Mendova se ishte diçka gastrike dhe nuk doja të shkoja në spital. Sidoqoftë, natën ndjeva diçka të çuditshme dhe shkova menjëherë te mjeku”.
Mjekët i kontrolluan zemrën fillimisht, pa gjetur gjë, derisa zbuluan një lëng në pleurë (zona rreth mushkërive). Diagnoza përfundimtare? Emboli pulmonare, një mpiksje gjaku e formuar fillimisht në gjurin e tij, për shkak të qëndrimit të gjatë në avion dhe në makinë, që më pas shkoi në mushkëri.
“Gjakut tim iu shtua dendësia gjatë udhëtimit me avion, u mpiks dhe kaloi në mushkëri. Kam kaluar pesë ditë në spital, duke rrezikuar të vdisja. Është shumë e rëndësishme që kush udhëton disa herë në javë të jetë i vetëdijshëm për këto rreziqe.
Është ide e mirë të kesh gjithmonë me vete heparinën dhe të udhëtosh vetëm nëse është vërtet e nevojshme. Përndryshe, këshilloj të merren vendime më të ndërgjegjshme dhe të mos udhëtohet gjithmonë siç bëj unë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd