Transmetuar më 21-04-2025, 12:04

E ardhmja e Antonio Contes pritet të jetë një nga temat më të nxehta në këtë fund sezoni. Trajneri nga Lecce ka lënë të kuptohet qartë se do të qëndronte me dëshirë te Napoli, ku ka edhe dy vite kontratë, por vetëm nëse i plotësohen kërkesat për merkato.

Drejtori sportiv Manna ka nisur të lëvizë për t’i dalë përpara kërkesave të tij, me një buxhet jo të vogël, por për momentin nuk ka garanci dhe as mund të ketë. Vendimtare do të jenë takimet e merkatos, pas përfundimit të kampionatit, më shumë se vendi përfundimtar në renditje. Nëse Conte do të bindet për konkurrueshmërinë e projektit, mund të qëndrojë dhe ta udhëheqë kthimin e Napolit në Champions. Përndryshe, do të thotë lamtumirë.

Çfarë ndodh në këtë rast? Për trajnerin, për momentin, ka dy hipoteza më konkrete: një rikthim i madh në stolin e Juventusit, ose një aventurë e re te Milani. Të dyja janë opsione tërheqëse, por aktualisht të mbushura me pikëpyetje.

Te Juventusi, pavarësisht ndarjes traumatike në verën e vitit 2014, tifozët bardhezinj do ta mirëprisnin rikthimin e ish-kapitenit në pankinë dhe pronari, John Elkann, do të ishte i gatshëm për një sakrificë financiare, që të siguronte një trajner me CV fitimtare si e tij. Por drejtuesit, me Cristiano Giuntoli në krye, preferojnë një trajner që mund të ndërtojë një projekt afatgjatë, diçka për të cilën Conte nuk ofron shumë garanci.

Për më tepër, duhet marrë parasysh se Igor Tudor ende ka shumë mundësi: kroati ka marrë 7 pikë në 3 ndeshje, ka edhe 6 të tjera në kampionat për të bindur dhe për të siguruar një vend në Champions, për të vazhduar më pas me Kupën e Botës për Klube.

Te Milani është e qartë se klubi po kërkon një trajner fitues, dikë që mund t’i rikthejë kuqezinjtë në majat e futbollit pas një sezoni me shumë ulje dhe pak ngritje. Por pa të ardhurat nga Liga e Kampionëve, do të jetë e vështirë të bindet një trajner që kërkon rrogë të lartë dhe merkato të nivelit të lartë.

Gjithashtu, ekzistojnë pasiguri të mëdha në aspektin drejtues të klubit. Nuk ka ende qartësi mbi emrin e drejtorit të ardhshëm sportiv, as mbi rolin që do të ketë Zlatan Ibrahimovic, i cili një vit më parë kundërshtoi ardhjen e Contes duke thënë: “Milani kërkon një trajner, jo një menaxher”.

Dhe Napoli? Presidenti De Laurentiis nuk qëndron duarkryq. Ai e di që Conte mund të largohet në qershor dhe tashmë po mendon për alternativa. Emri më i lakmuar në listë aktualisht është Massimiliano Allegri, një trajner i mësuar me skenat e mëdha dhe që di të punojë me atë që i jep klubi.

Ka ditur të menaxhojë kampionë si te Milani, edhe në ciklin e parë te Juve, por edhe të përballet me vështirësi si në rikthimin e dytë në Torino. Ashtu si ndodhi me Juven 11 vite më parë, mund të jetë ai që do të trashëgojë stolin nga një Conte i pakënaqur.

Në prapaskenë janë edhe emra si Vincenzo Italiano, i sonduar më parë nga Napoli, por që duhet të lirohet nga Bologna. Në fakt, De Laurentiis nuk ka ndërmend të paguajë klauzola për asnjë trajner.

Më në sfond është Gian Piero Gasperini, i cili dukej shumë larg Atalantës deri pak javë më parë, por nëse kualifikohet në Champions mund të vendosë të qëndrojë dhe të respektojë kontratën, që i skadon më 2026.

E vetmja gjë e sigurt është që muajt maj dhe qershor do të jenë të zjarrtë për pankinat e Serie A.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit