Transmetuar më 21-04-2025, 10:23

KOSOVË- Deputetët do të mblidhen sot për ta vazhduar pasdite përpjekjen e katërt për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që t’i hapin rrugë edhe formimit të Qeverisë së re, më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Vazhdimi i seancës së ndërprerë të shtunën do të nisë në orën 15:00, me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve në rend dite.

Konstituimi i Kuvendit mbeti në gjysmë të shtunën kur kandidatja e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, dështoi t’i fitojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit.

Në seancën e sotme, deputetët duhet t’i zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët në mënyrë që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës përfundimisht. Seanca e parë më 15 dhe vazhdimin e saj më 17 prill, u ndërprenë qysh në pikën e parë kur dështoi të votohej Komisionin për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, për shkak të mospajtimeve procedurale mes partive politike.

Megjithatë, në seancën e tretë më 19 prill, deputetët votuan njëzëri për kalimin e Komisionit me çka u betuan edhe deputetët e legjislaturës së nëntë dhe hapën rrugën për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Emërimi i Haxhiut si kryeparlamentare dështoi pasi ajo mori vetëm 57 vota nga 61 të nevojshme në dy tentime radhazi të shtunën.

Vetëvendosje pritet ta propozojë atë për kryetare të Kuvendit edhe në seancën e sotme, por nuk është e qartë nëse i ka votat e nevojshme.

Seanca konstituive, sipas rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre e kryetarit dhe nënkryetarëve. Në rast se Kuvendi konstituohet sot në përpjekjen e katërt, atëherë do të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re. Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Edhe për formimin e Qeverisë së re asaj i duhen të paktën 61 vota. Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh. AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit. Bashkimi Evropian ka thënë ditë më parë se Kosova duhet t’i formojë shpejt institucionet e reja./REL

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit