

Nga një takim me mbështetësit demokratë në Dibër, ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës së tij në këtë qark dy ditë më parë. Berisha akuzoi Ramën për fyerje kolektive dhe për një sjellje që, sipas tij, i ngjan gjuhës së pushtuesve.
“Ti erdhe në Dibër si pushtues dhe fole si kopuk,” tha Berisha, duke theksuar se Rama kishte lejuar vetes të fyente banorët e zonës. “Njësoj si paraardhësit e tu që atdhetarët i shpallnin armiq. Po të them: burrat e Dibrës janë si malet e Dibrës – mjerë ai që i sulmon!”
Në reagimin e tij, Berisha rikujtoi ndërtimin e segmentit të parë të Rrugës së Arbrit dhe akuzoi qeverinë Rama për vonesa të pajustifikuara në përfundimin e saj. Ai tha se 32 kilometrat e para u ndërtuan nga qeveria e tij dhe garantoi se në vitin 2016 rruga do të ishte përfunduar nëse nuk do të ishte ndalur projekti.
Duke vazhduar me akuzat, Berisha përmendi fondet e harxhuara për inceneratorin e Tiranës, kopshtin në Kryeministri dhe shpenzimet për udhëtime luksoze, duke akuzuar Ramën për abuzim me paratë publike.
“Fatura prej 130 milionë euro për djegësin që nuk ekziston, biletat me 28 mijë euro, udhëtimet me avion – këto janë fakte që nuk i përmende dje. Por Dibra nuk i harron,” theksoi ai.
Në mbyllje, Berisha e quajti fjalën e një gruaje dibrane në sallë si përgjigjen më të denjë ndaj Ramës: “Burrat tanë janë të mrekullueshëm.” Dhe e mbylli me një thirrje entuziaste: “Rroftë Dibra, rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore!” /noa.al





Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






