Transmetuar më 19-04-2025, 14:40

Kinemaja e Maliqit, një hapësirë e re kulturore për komunitetin

Një nga ndërtesat më karakteristike të qytetit të Maliqit, Kinemaja e ndërtuar në vitin 1952, po rilind si një qendër e gjallë kulturore pas një rikonstruksioni tërësor që respekton historinë, arkitekturën dhe shpirtin e saj origjinal. E kthyer në një strukturë multifunksionale, objekti do të shërbejë si kinema, teatër kukullash dhe hapësirë komunitare për aktivitete të banorëve të të gjitha moshave.

Gjatë një vizite në objekt, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi punimet e realizuara dhe propozoi adoptimin e një koncepti të ngjashëm me kinemanë e restauruar të Shkodrës për hyrjen e godinës, duke i dhënë asaj një identitet të ri vizual që përforcon funksionin e saj si vatër e kulturës dhe bashkëjetesës qytetare.

Kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, shpjegoi se projekti është ndarë në dy faza, ku faza e parë u financua dhe realizua nga vetë bashkia, ndërsa faza e dytë është në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. “Kemi ruajtur elementët arkitektonikë origjinalë që nga ndërtimi i saj në vitin ’52 nga rusët, por njëkohësisht kemi futur edhe elementë modernë që e bëjnë funksionale dhe bashkëkohore,” deklaroi Topçiu.

Sipas projektit, godina përfshin një sallë shfaqjesh tërësisht të modernizuar, një holl tradicional për organizimin e mbrëmjeve artistike dhe kulturore, si dhe një teatër kukullash në katin e tretë dedikuar fëmijëve, si një risi që synon të afrojë të vegjlit me artin që në hapat e parë të jetës së tyre.

Kinemaja e Maliqit pritet të kthehet në një pikë referimi kulturore jo vetëm për qytetin, por për të gjithë zonën përreth, duke ofruar një hapësirë bashkëkohore, funksionale dhe të përfshirë për komunitetin lokal. Me këtë projekt, Maliqi bëhet shembull i investimeve që ndërthurin trashëgiminë me zhvillimin, dhe historinë me të ardhmen.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit