

Gjithçka do të vendoset në vetëm 16 ditë. Interi dhe Barcelona janë ende në garë për të fituar gjithçka këtë sezon; kampionatin, kupën dhe Champions League. Fundi i sezonit është kthyer në një sprint të zjarrtë drejt lavdisë. Përplasja mes tyre në gjysmëfinalet e Champions League, më 30 prill dhe 6 maj, është vetëm kulmi i një kalendari të ngjeshur, që i ka futur të dyja skuadrat në të njëjtin ritëm.
Në La Liga, për t’i dhënë më shumë kohë për rikuperim Barcelonës, është zhvendosur orari i ndeshjes kundër Valladolid. Ajo do të luhet të shtunën në mbrëmje, në orën 21:00, ndërsa Real Madridi, i eliminuar tashmë nga Arsenali, do të zbresë në fushë të dielën në orën 14:00.
Por kjo lëvizje nuk ka kaluar pa polemika. Hansi Flick, i irrituar nga mënyra si trajtohen ekipet që përfaqësojnë Spanjën në Europë, shpërtheu në konferencë për shtyp: “Jemi kthyer vonë nga transfertat, me lojtarë që kanë fjetur në orën 5 të mëngjesit. Nuk kërkojmë justifikime, por në vende të tjera ekipet europiane mbrohen. Këtu është si një barsoletë, nuk ka asnjë sens. Askush nuk e kupton realitetin e kësaj situate”.
Pavarësisht zhgënjimit, Flick nuk i kurseu elozhet për kundërshtarin e radhës në Champions: “Më pëlqen mënyra si luan Interi. Është një skuadër me shumë përvojë, e organizuar në çdo fazë loje. Ka sulmues të rrezikshëm dhe mbrojtës të nivelit të lartë. Pavard ka qenë lojtar i imi dhe është një profesionist shembullor. Jam i lumtur ta shoh sërish. Për më tepër, Inzaghi po bën një punë të jashtëzakonshme. Do të jetë një përballje shumë e fortë”.
Në fund të ditës, polemikat bien në heshtje përballë faktit se të dyja ekipet do të kenë të njëjtat ditë pushimi përpara gjysmëfinales së dytë. Edhe ‘Lega Serie A’ ka lëvizur orarin e Interit, duke e caktuar sfidën ndaj Veronës për të shtunën, më 3 maj, në orën 20:45.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






