

Një aksident tragjik në teleferikun e Monte Faito, që përshkon qytetin e Napolit, i ka marrë jetën katër personave, ndërsa një i katërt është plagosur rëndë.
Aksidenti i rëndë ndodhi në Castellammare di Stabia, kur një nga kabllot e teleferikut Monte Faito u prish pak pas orës 15:00, duke lënë dy kabinat pezull në ajër. Në atë moment në bord ndodheshin 16 persona, përfshirë turistë dhe punëtorë.
Kabina më e afërt me stacionin malor, me 5 persona në bord rrëshqiti më pas dhe u përplas me shtyllën e parë. Katër persona vdiqën në vendngjarje, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë dhe është dërguar në spital.
Ndërkohë, një hetim për katastrofën është hapur nga Prokuroria Publike Torre Annunziata, e cila e ka vendosur teleferikun nën sekuestro.
Teleferiku ishte rihapur vetëm shtatë ditë më parë pas pushimit dimëror. Kabina e rrëzuar u lokalizua nga helikopteri i zjarrfikësve pas një kërkimi të vështirësuar nga dukshmëria e dobët për shkak të mjegullës së dendur.
Rreth orës 17:00 erdhi lajmi se komunikimet ishin ndërprerë dhe kabina besohej se kishte mbetur pezulluar në ajër. Në orën 18:05, Umberto De Gregorio, president dhe CEO i Eav, Holding publikoi lajmin për viktimat në mediat sociale.
Menjëherë pas konfirmimit të lajmit tragjik, Presidenti i rajonit të Kampanjias, Vincenzo De Luca, shkoi në vendngjarje. Pas aksidentit, stacioni Castellammare di Stabia u mbyll për shkak të ndërprerjes së linjës hekurudhore midis Pioppaino dhe Sorrento, duke qenë se kablloja kishte rënë mbi shina.
Policia Bashkiake e Stabias ka urdhëruar masa paraprake për mbylljen e rrugës panoramike në majën e ngjitjes drejt Pallatit Bourbon të Quisisana-s.
Teleferiku në fjalë u përurua në verën e vitit 1952. Në ditën e 15 gushtit 1960, kishte ndodhur i pari dhe i vetmi aksident fatal në historinë e saj. Kabina që po bënte seksionin zbritës, në lartësinë e shtyllës së parë, u shkëput nga kabllot e tërheqjes dhe përfundoi duke u përplasur në shinat hekurudhore poshtë saj, duke u marrë jetën 4 personave në atë kohë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd