

Qeveria ka miratuar sot një vendim të ri që parashikon kompensim të menjëhershëm financiar për punonjësit e Policisë së Shtetit, në rast se prona e tyre dëmtohet rëndë për shkak të detyrës ose në mënyrë aksidentale, raporton noa.al.
Sipas vendimit të publikuar, kompensimi mund të arrijë deri në 1 000 000 (një milion) lekë, bazuar në aktin e vlerësimit të dëmit nga një ekspert i licencuar.
Kompensimi jepet në dy raste:
Kur prona është dëmtuar si pasojë e një vepre penale të kryer për shkak të detyrës dhe rasti është referuar në prokurori;
Kur dëmi ka ndodhur aksidentalisht gjatë përdorimit të pronës për qëllime zyrtare.
Punonjësi duhet të vërtetojë pronësinë ose procesin e legalizimit të pronës dhe të mos ketë përfituar dëmshpërblim nga kompani sigurimesh për të njëjtin rast.
Për të përfituar kompensimin, kërkohen dokumente si: kërkesë me shkrim, prova për referimin në prokurori, certifikatë pronësie apo dokument legalizimi dhe akti i vlerësimit të dëmit.
Vendimi parashikon ngritjen e një komisioni me 5 anëtarë brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cili shqyrton kërkesën brenda 10 ditëve dhe propozon vendimin për pagesë.
Në rast refuzimi, punonjësi ka të drejtë të ankimojë vendimin pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, i cili vendos për rishqyrtimin e çështjes.
Nëse gjatë hetimit ose gjykimit rezulton se dëmi nuk lidhej me detyrën, punonjësi detyrohet të kthejë 100% të shumës së përfituar.
Vendimi i ri shfuqizon vendimin e mëparshëm nr.169, datë 8.3.2017 dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd